Letra e ministreve për Holandën, reagojnë drejtuesit fetarë

Letra e 8 ministreve gra në qeverinë e Ramës drejtuar Holandës për hapjen e negociatave ka irrituar dukshëm besimet fetare në Shqipëri.

Pas reagimit të Kishës Katolike edhe Myftiu i Tiranës Lauren Luli i është kundërpërgjigjur me kritikë të hapur letrës së ministreve, ku ndër të tjera lavdërohej Holanda për miratimin e aborteve.

Pas Kishës Katolike, edhe myftiu i Tiranës, Lauren Luli reagon ndaj letrës së tetë ministreve të qeverisë Rama drejtuar Holandës, ku ndër të tjera vlerësohet lejimi i abortit dhe martesat midis çifteve të të njëjtit seks.

Kisha Katolike reagoi përmes Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, George Frendo, i cili në rrjetin social shkroi se me çfarë të drejte këto politikanë kanë folur në emër të shqiptarëve.

“Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave?”- shkroi Frendo.

Ndërkohë Myftiu i Tiranës shkroi:

“Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishte mbi 5 mijë. Ky është një krim! Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare. Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, për t’u integruar në Evropë. Shqipërisë i duhet të luftojë me padrejtësinë, korrupsionin, si dhe të ndërtojë shtetin e së drejtës”

Më poshtë reagimet e plotë të eskponentëve të fesë:

Postimi i plotë i Arqipeshkvit George Frendo

RRETH LETRËS SË MINISTRAVE GRA

Mons. George Frendo,

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit

Janë tetë ministre gra që u janë drejtuar deputetëve të Parlamentit holandez me një letër. Në këtë letër shkruajnë se janë “nëna dhe bija, gra që luftojnë për familjet tona dhe për kombin tonë”.

Më poshtë shkruajnë: “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. E pse? Sepse “ju ishit ndër të parët në botë që keni legalizuar abortin” dhe “keni qenë vendi i parë në botë që keni legalizuar martesën e së njëjtës gjini në 2001”.

Disa komente. “Ne në Shqipëri sinqerisht çmojmë Holandën”. Vërtetë, janë deputete, janë ministre. Por kush u dha të drejtën të flasin në emrin e të gjithë shqiptarëve? Janë “nëna”. Atëherë pritet se e vlerësojnë jetën njerëzore. Si pra guxojnë ta lavdërojnë Holandën sepse kjo ka legalizuar vrasjen e jetës njerëzore të ngjizur në kraharorin e shumë nënave?

Janë “bija”, dhe, supozojmë (pasi janë edhe nëna), të martuara. Sigurisht, kanë lindur fëmijë jo nga një grua tjetër, por nga një burrë. Dhe thanë se “luftojnë për familjet” – imagjinojmë se e përkufizojnë familjen si bashkësi që përfshin burrin dhe gruan bashkë me fëmijët e tyre. Këto fjalë janë krejt në kundërshtim me pohimin e tyre, ku kanë miratuar qëndrimin e Hollandës që ka legalizuar martesën e së njëjtës gjini.

Ta legalizosh abortin dhe martesën gay a është shenjë e një shoqërie të emancipuar? A është shenjë përparimi?

Të dashur Ministre, ju lutem: familja shqiptare është dalluar si një bërthamë shumë e bashkuar dhe të qëndrueshme. Mbrojeni jetën njerëzore, mbrojeni familjen shqiptare! Tashmë ka shumë faktorë që po sulmojnë familjet tona sot. Është detyra juaj, si përfaqësuese të popullit tonë dhe ministre, t’i mbroni vlerat e vërteta për një Shqipëri më të mirë!

Postimi i plotë i Myftiut të Tiranës:

Profeti Muhamed a.s në Hutben e Lamtumirës na le amanet familjen:

“Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e perso­nalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.

Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Zotit.”

Të dashur vëllezër dhe motra, qytetarë të thjeshtë dhe ata me përgjegjësi publike, rruga e Shqipërisë është Europa, nuk ka asnjë diskutim dhe mëdyshje për këtë!

Vonesat drejt kësaj rruge nuk janë përgjegjësi e popullit, por e atyre që kanë marrë përgjegjësi publike për të çuar në destinacion këtë mision.

Europa është qytetërimi i vlerave, shtetit të së drejtës dhe lirisë!

Europa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Europës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato.

Njerëzit me përgjegjësi publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm në komunikimin e tyre me Europën dhe shtete të veçanta të saj. Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishte mbi 5-mijë. Ky është një krim!

Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare.

Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, për t’u integruar në Evropë.

Shqipërisë i duhet të luftojë me padrejtësinë, korrupsionin, si dhe të ndërtojë shtetin e së drejtës!

Myftiu i Tiranës,

Lauren LULI