Kthehet “dashuria” e vjetër, Bayern Munich hidhet në sulm për Sane

Bayern Munich nuk ka hequr dorë nga Leroy Sane. Klubi bavarez dhe sulmuesi gjerman i Manchester City ishin shumë pranë marrëveshjes në merkaton e verës, por një dëmtim i rëndë i futbollistit bëri që marrëveshja të dështoi.

Sane vijon rikuperimin dhe do të qëndrojë ende për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës dhe kur të kthehet, ndoshta do të mbajë veshur ngjyrat e kampionëve të Bundesligës. “Sport Bild” bën të ditur se Bayern Mynih ka autorizuar të merret me këtë çështje një ndërmjetës të njohur në botën e futboillit si Giovanni Branchini. Ky i fundit nuk ka humbur aspak kohë dhe sipas të përditëshmes gjermane është takuar menjëherë me menaxherin e sulmuesit.

Tema e bisedimeve kishte të bënte me gjetjen e rrugës së duhur për të transferuar Leroy Sane te skuadra bavareze. Për momentin po studiohet terreni, ndërsa duke qëndruar në atë që raporton “Sport Bild”, nuk përjashtohet mundësia që Bayern Munih të nisë një tjetër ofensivë që në merkaton e janarit.