Kosova mund me vështirësi Gjibraltarin, i falet Hasanit (VIDEO)

Kosova ka bërë një paraqitje jo shumë bindëse në miqësoren ndaj Gjibraltarit. Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes fitoi me shumë vështirësi 1-0, pasi strategu helvet hodhi në fushë një formacion me shumë futbollistë që luanin titullarë për herë të parë. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

 

Një paraqitje jo bindëse për dardanët përballë një kundërshtari modest si Gjibraltari. Në fragmentin e parë të lojës skuadra e Challandes , krijoi 9 mundësi shënimi dhe vetëm një gjuajtje në portë, ndërkohë që miqtë arritën të godisnin 2 herë kuadratin.

Në fraksionin e dytë loja ndryshoi disi, ndërkohë që në minutën e 68-të do të vinte edhe goli i Florent Hasanit, i cili mori një top të bukur në hyrje të zonës dhe pa u menduar dy herë goditi duke arritur që të realizonte. Një tjetër fitore që mund t’i shërbejë për ndeshjen zyrtare ndaj Malit të Zi. /R.Lika-Koha Jone/