Kavajë/Burri pyet nga burgu për vrasjen e ish-të dashurit të gruas

Krimi i rëndë për xhelozi që ndodhi në Kavajë ka tronditur mbarë opinionin publik. D.H, i cili hyri me forcë në banesën e ish-të dashurës së tij M.Q, mbeti i vrarë në vend nga polici i burgjeve B.T. Nga hetimet rezulton se M.Q është e martuar dhe me fëmijë. Bashkëshorti i saj ndodhet në Gjermani. Mësohet se burri i M.Q po vuan dënimin me burg në shtetin gjerman për drogë. Për ngjarjen e rëndë, është interesuar nga Gjermania vetë bashkëshorti i M.Q.

Nga burgu, ai ka kërkuar të mësojë se çfarë ka ndodhur me gruan dhe fëmijët e tij në banesën ku ndodhi krimi. Sipas dëshmisë së M.Q në polici, ish i dashuri D.H, kishte shkuar në banesën e saj rreth orës 00:45 i armatosur me kallashnikov. Ai kishte hyrë me forcë nga dera e ballkonit duke thyer grilën.

E frikësuar nga prania e D.H, i cili e kishte telefonuar para se të shkonte, M.Q njoftoi mikun e saj polic të burgut të Durrësit, B.T. Ky i fundit, si dhe dy komshinj të M.Q, kishin shkuar në banesën e kësaj të fundit për ta mbështetur. Kur nga ballkoni hyri me forcë ish i dashuri D.H, aty u ndesh me policin B.T. Pas debateve verbale, D.H qëlloi me kallashnikov policin duke e lënë të plagosur.

Nga ana tjetër, B.T u kundërpërgjigj duke e qëlluar me 4 plumba pistolete. D.H humbi jetën në vendngjarje. B.T ka mbetur i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është arrestuar nga policia për vrasje me dashje. Zyrtarisht Policia e Kavajës ka thënë se vrasja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie.