Hidhen themelet për shkollën “Nënë Tereza”, xhevahiri i parë i 17 shkollave në Tiranë

Premtimi për rindërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë ka nisur të bëhet realitet. Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin e shkollës që do mbajë emrin e shenjtores “Nënë Tereza”, duke bërë realitet premtimin e dhënë për 30 mijë banorë në Kodër-Kamëz. Falë këtij investimi, shkolla 9-vjeçare e integruar do t’i japi një mundësi të barabartë fëmijëve të kësaj zone, që të arsimohen si gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në Tiranë me kushte komode dhe cilësi të lartë mësimdhënie.

Siç shihet edhe nga fotot janë hedhur themelet dhe godina e shkollës së re ka nisur të marrë formë për të realizuar një nga projektet më të bukur dhe modern tëm shkollave në Tiranë. Me hedhjen e themeleve të shkollës “Nënë Tereza” në zonën e Institutit Bujqësor, synohet që të eliminohet mësimi me dy turne në 4 shkolla 9-vjeçare të zonës, si dhe do të lehtësohet buxheti i familjeve, duke eliminuar transportin e fëmijëve nëpër shkolla të tjera larg dhe shmangur trafikun e orëve të mëngjesit.

Pas orarit zyrtar të mësimit, kjo shkollë do të funksionojë edhe si një qendër komunitare. Fëmijët do kenë mundësinë të shfrytëzojnë shkollën e re, terrenet e saj sportive, ambientet laboratorike, bibliotekat dhe sallat studimit. Shkolla “Nënë Tereza” është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë që do të rrisin cilësinë e mësimdhënies në kryeqytet.