Flet ikona e PS-së, Arta Dade: PS është tjetërsuar në parti të oligarkëve

Që PS-ja është tjetërsuar e thonë shumë veta në PS, por pakkush flet kaq hapur e qartë sa Arta Dade. Po flet e kritikon edhe ish-ministri Ditmir Bushati, por jo si Arta e cila është nga ministret më profesioniste dhe më me integritet në të majtën shqiptare.

Në Ora News, zonja Dade tha se PS, sot është një forcë politike e paralizuar dhe pa demokraci të brendshme dhe që drejtohet nga një person i vetëm.

Sipas saj, PS i ka humbur të gjitha vlerat e saj, duke kapërcyer si “lavjerrës” nëpër oligarkë.  “E majta- tha Dade- duhet të ribëhet”, ndërsa shpresën e ka tek brezi i ri.

Ja se ç’tha Arta Dade: Sikur Rama të na kishte dëgjuar 2% nga ato këshilla që i kemi dhënë nuk do të kishim arritur në këtë pikë.

Tani konstatoj që nuk po ndodh asgjë. Është një forcë totalisht e paralizuar, pa demokraci të brendshme. Komandon vetëm një person. Është një “one man show” dhe nëse do të vazhdojnë kështu, nëse opozita do të jetë kështu siç është, nëse do kemi zgjedhje si ato të 30 qershorit, patjetër që Shqipëria do të jetë në vendnumëro, por do të bëjë hapa pas ashtu sikurse nuk e dëshirojmë. Për ne që kemi punuar për të kundërtën e saj, përveç anës emotive që patjetër që kemi keqardhje përjetojmë edhe një revoltë që duhet të punojmë më shumë. Të angazhojmë më shumë elementë të shoqërisë civile, e cila rezulton totalisht e paralizuar.

Mendoj që e majta duhet të ribëhet. Vet PS-ja përveçse ka humbur identitetin si forcë të majtës evropiane dhe duke tentuar drejt qendrës, ka humbur të gjithë elementët kryesorë të programit të saj. Në mënyrë të veçantë në aspektin social ekonomik, pra si një forcë që do ishte në mbështetje të shtresave në nevojë dhe ka kapërcime të pajustifikuara duke u luhatur si lavjerrës sa tek oligarkët dhe për show edhe në ndonjë familje të varfër që i ndërton ndonjë shtëpi, e cila nuk zgjidh asgjë.

Praktikisht PS nuk është më ajo parti, e cila ngjalli shpresën, e cila avancoi proceset e vendit deri në dyert e BE, e cila mori një vend nga kriza e ’97 dhe e solli në dyert e BE, e cila pati politikat ekonomike për të krijuar një vend nga skemat  piramidale në 17 banka private, në një vend që u bë partnere nga konsumimi i sigurisë në një vend që garantonte siguri dhe u bë anëtare e NATO-s.

Kështu që besoj se duhet t’i rikthehemi këtyre vlerave të munguara, por që janë latente dhe janë duke ringjallur në mënyrë të veçantë tek brezi i ri”- tha ndër të tjera Arta Dade, e cila mbetet ikona e PS-së.

Në kohën kur PS-ja drejtohej nga Fatos Nano kishte demokraci e pluralizëm mendimesh brenda saj.