Dyfishohet numri divorceve në Lezhë dhe Kukës

Divorcet kanë pësuar rritje gjatë dy viteve të fundit në rang vendi. Por në qarqet e Lezhës dhe të Kukësit ka pasur dyfishim të numrit të tyre.

Gjatë vitit 2018-të rreth 304 familje i janë drejtuar gjykatës së Lezhës për ndarje ndërsa 6 mujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 200 raste të tjera.

Psikologu dhe eksperti, Besmir Frrokaj pohon se situata është alarmante.

Besmir Frrokaj: “Në ato shkaqe kryesore që hasim në përditshmërinë e punës është dhuna në familje, që po shtohet vazhdimisht dhe urdhrat e mbrojtjes po rriten, është tradhtia bashkëshortore si edhe gjendja ekonomike.”

Ai thekson se janë të shumta kërkesat për divorc edhe nga familjet që jetojnë jashtë vendit. Ndërsa agresiviteti mes prindërve po reflektohet tek fëmijë.

Besmir Frrokaj: “Fëmijët duke qenë prezent i vuan akoma më shumë pasojat, që nuk shfaqen për momentin por me rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.”

Ndërsa në qytetin e Kukësit shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve mes çifteve është emigracioni i bashkëshortëve jashtë vendit.

Sipas avokates Aurora Guska, e cila mbron rastet e divorceve pranë gjykatës së Kukësit, kërkesat më të shumta për zgjedhjet e martesave janë paraqitur nga gratë e zonave rurale.

Aurora Gucka: “Në rolin e paditëseve janë bashkëshortet që kanë kërkuar zgjidhjen e martesave. Këto raste vijnë zakonisht nga zonat rurale.”

Këtë vit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës janë bërë 81 divorce ndërsa 30 kërkesa të tjera janë në shqyrtim. Vetëm për muajin shtator janë përfunduar 15 çështje divorci.

/Ora News