Bashkia e Dropullit, tender me fondet publike për përvjetorin e Kacifas

Bashkia e Dropullit në Qarkun e Gjirokastrës ka hapur tender për të përdorur paratë publike në ceremoninë e një vjetorit të vrasjes së Kostandin Kacifas.

Nëpërmjet fondeve publike, ky institucion kërkon nga një firmë private, prodhimin e disa banderolave në gjuhën greke, që do të bëhen për një aktivitet në datën 28 tetor.

Kjo datë përkon me 1 vjetorin e vrasjes së Konstantinos Kacifas, një ekstremist grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Por në të njëjtën ditë, është edhe festa kombëtare në Greqi, që njihet si “Dita e JO-së”, për shkak të luftës Italo-Greke.

Sido që të jetë, fakt është që po përdoren fondet publike shqiptare, për të prodhuar disa banderola në gjuhën greke, për një festë që nuk është e Shqipërisë. Është e paimagjinueshme që në krahun tjetër, në Greqi, të alokohen fonde për festën e pavarësisë së Shqipërisë apo përkujtimore për çamët.

Duke u kthyer tek tenderi, në dokumentet e depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik, janë edhe specifikimet e tenderit, për mënyrën sesi duhet të jenë banderolat. Sipas kërkesës së kryebashkiakut të Dropullit, ne dokumentet qe ka siguruar gazeta Shqip, banderolat duhet të jenë me përmasa 6.5 metra e gjatë dhe 70 centimetra të gjera, të gjitha në gjuhën greke.

“Materiali i tyre të jetë prej plastmasi, fondi të jetë i bardhë. Në mes të shkruhen me shkronja kapitale ngjyrë blu e errët. Shkrimi i shkronjave të jetë 30cm dhe hapësira midis tyre të jetë 8-9cm”- thuhet në dokumente.

Më 28 tetor 2018, rreth 1 vit më parë, në Bularat të Gjirokastrës u vra Konstantinos Kacifas, një ekstremist grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Edhe në atë kohë, në Dropull po festohej dita e “JO”-së, ndërsa mediat greke e përcollën këtë lajm si një luftë kundër minitoriteti grek në këtë zonë të Shqipërisë. Mbetet për tu parë, nëse në datë 28 Tetor, aktiviteti do të jetë për festën kombëtare të Greqisë, apo për vrasjen e ekstremistit grek Kacifas.

Gazeta Shqip