Skandal në Kadastrën e Vlorës, tre drejtorë dorëhiqen të kërcënuar nga mafia e pronave

Kadastra e Vlorës në kolaps, jep dorëheqjen drejtori i tretë brenda një muaji. Në zyrat e Agjencisë Rajonale të Kadastrës së qytetit bregdetar ka ndodhur ajo që nuk është parë kurrë në ndonjë institucion tjetër shtetëror.

Tre drejtorë brenda një muaji japin dorëheqjen dhe shkak është fakti që nuk arrijnë të zbatojnë një vendim të Gjykatës së Lartë, për një pronë në bregdet. I pari që dha dorëheqjen në 9 shtator ishte Florian Almadhi, i cili u zëvendësua nga Alteo Nazeraj. Ky i fundit nuk qëndroi as 10 ditë në detyrë dhe deklaroi gjithashtu dorëheqjen. Në vend të tij u emërua Elona Hodaj, e cila bëri të njëjtin akt këtë të martë.

Të gjithë largohen nga drejtimi i Kadastrës me pretekstin e problemeve personale apo shëndetësore, por ngërçi qëndron në zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Mafia e pronave kërcënon drejtorët të mos e zbatojnë këtë vendim, që ndalon çdo veprim për shitjen ose blerjen e një prone në bregdet dhe ata nuk gjejnë rrugë tjetër, veçse të firmosin dorëheqjen. Vetëlargimet në seri vijojnë ta mbajnë në kolaps situatën në Kadastrën e Vlorës, ku brenda një muaji janë ndryshuar disa drejtorë, nëndrejtorë dhe juristë, fakt që tregon se ky institucion vazhdon të mos funksionojë.