Shkolla e mesme pa mësues, Drejtoria: Drejt krijimit të klasave kolektive

Paçka se ka katër javë që ka nisur viti i ri shkollor, nxënësit e klasës së tretë në shkollën e mesme të bashkuar ”Jani Vreto” në Leskovik, nuk kanë mundur të zhvillojnë një proces mësimor normal. Mësuesja është larguar dhe ende nuk është zëvendësuar. Bashkëpunëtorët e ”Fiks Fare”, vërtetuan në ambientet e shkollës se nxënësit nuk kishin një mësuese stabël për të bërë mësim. Ata i zhvillojnë lëndët kryesore me një mësuese tjetër. Kjo e fundit pohoi se ishte e vështirë dhe e lodhshme mësimi me dy klasa së bashku.

Drejtoresha e shkollës pranoi situatën, duke thënë se numri i pakët i nxënësve në ciklin fillor u ka krijuar vështirësi. Në bazë të udhëzimit Nr.30 të Ministrisë së Arsimit, i cili nënvizon se për numrin e nxënësve të klasave fillore me më pak se 50, duhet të krijohen klasa kolektive. Shkolla po pret vendimin e Drejtorisë Vendore Arsimore në Kolonjë për situatën e krijuar.

Nga ana tjetër edhe drejtori i Zyrës Arsimore Kolonjë citoi udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, si arsye se pse nuk është zëvendësuar mësuesja e larguar. ”Do shkojmë drejt krijimit të klasave kolektive, po tkurremi e po tkurremi në numër nxënësish”,-pohoi Vrion Çaushi.