Rama në Serbi, pakt për Shengenin ballkanik apo “Jugosllavinë e Re”?

Kryeministri Edi Rama ndodhet mbrëmjen e sotme në Serbi. Lajmi është publikuar nga mediat serbe, të cilat njoftojnë se kreu i qeverisë shqiptare ka do të takohet me Presidentin Alexandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Vizita është paralajmëruar me herët, gjatë takimit të Edi Ramës me Vuçiç në Asamblenë e OKB-së në SHBA. Ky takimi i kreut të qeverisë lidhet me bashkëpunimin mes tre vendeve në krijimin e një zone të përbashkët ekonomike.

Projekti që sipas Edi Ramës dhe Vuçiç imiton bashkëpunimin doganor mes vendeve të BE, nga zëra kritikë në Tiranë dhe Prishtinë cilësohet dhe si krijimi i Jugosllavisë së Re.

Rama është pritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit nga ministrja e Integrimit, Jadranka Joksimoviç. Rama, Vuçiç dhe Zaev pritet të darkojnë sot së bashku në qytetin e Novi Sadit, ndërsa gjatë ditës së nesërme do të firmosin marrëveshjen.

Sipas mediave serbe, në përfundim të takimit dyditor, pritet që të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një Mini Shengen ballkanik. Autoritete shqiptare nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë marrëveshje, por vetëm mediat raportojnë çdo ditë dhe e cilësojnë si një arritje për ekonominë e tyre, ndërkohë që kjo lojë i shërben vetëm Serbisë. Shqipëria nuk përfiton asgjë, përkundrazi po mundohet që kryeministri Rama të spostojë vëmendjen nga 18 tetori ku BE me sa duket do të jap statusin Maqedonisë së Veriut, por jo Shqipërisë.