Pashtetësia/ Voda në OKB: Shqipëria progres për t’i dhënë fund fenomenit

Zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda përfaqësoi Shqipërinë në takimin e Nivelit të Lartë në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ku tema e diskutimeve ishte angazhimi i të gjitha shteteve në luftën kundër fenomenit shqetësues të pashtetësisë. Gjatë fjalës së saj në këtë takim zv.ministrja nënvizoi se Shqipëria ka shtuar ritmin dhe ka ndërmarrë hapa konkrete për të zvogëluar rrezikun e joshtetësisë.

“Në fund të vitit 2017 dhe në fillim të 2018, një konsorcium i institucioneve publike dhe ministrive, organizatave të shoqërisë civile dhe UNHCR, ndërmori një hartografim dhe vlerësim të situatës në vend, të cilin e botuam në qershor 2018. Përmes hartës, kuptuam madhësinë dhe thellësinë e rrezikut të joshtetësisë ndërmjet fëmijëve të lindur jashtë Shqipërisë nga prindër shqiptarë. Në këto raste, në realitet ne i referohemi pengesave për konfirmimin e kombësisë në lidhje me Shqipërinë”, theksoi Voda.

Sipas Vodës, parlamenti shqiptar ka marrë një vendim për të ecur më shpejt me adresimin e sfidave të identifikuara legjislative. ”Deri në vitin 2020 Shqipëria do të krijojë me ligj dhe do të zbatojë një procedurë të veçantë të përcaktimit të joshtetësisë. Ne synojmë ta përmbushim këtë angazhim, përmes Ligjit për Azilin, i cili aktualisht po kalon rishikim në nivelin administrativ, ose përmes Ligjit për të Huajt, që është për t’u shqyrtuar në vitin 2020”.

Ndër të tjera, zëvendësministrja theksoi se: ”Shqipëria është duke përmbushur në mënyrë progresive angazhimin e saj të përgjithshëm për t’i dhënë fund joshtetësisë në 2024 në mënyrë konkrete dhe ambicioze”. Hapat e ndërmarra nga Shqipëria u vlerësuan në këtë takim si konkrete e efektive nga përfaqësues të lartë të UNHCR dhe vendeve të tjera.