Negociatat, Panariti: Problem i vërtetë është qëndrimi i Francës

Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, thotë se problemi i vërtetë për hapjen apo jo të negociatave me Bashkimin Europian është Franca. ”Problemin e shikoj më shumë te Franca sesa te Holanda, pasi Franca ka më shumë peshë në BE. Presidenti Macron e ka bërë të qartë që është kundër zgjerimit. Do ta konsideroja arritje të madhe nëse Macron ndryshon pozicion, por mendoj se mbi ne rëndon çështja e emigracionit. Francezët kanë debat në Parlament për emigracionin dhe mediat atje kanë nisur të stigmatizojnë shqiptarët”, deklaroi Panariti në ”A2Cnn”. Sipas tij, nuk është problemi nëse do të hapen negociatat, apo do të hapen me kushte apo jo, problemi është jemi apo jo të përgatitur për negociatat. ”Ne kemi në ngërç sistemin gjyqësor, kemi Parlament të paplotë… e gjithë kjo situatë nuk kalon dot me një deklaratë të kryeministrit që nuk është problem yni, por probleme të brendshme të Holandës dhe Francës”.