“Ndihesha i keqtrajtuar, doja të largohesha”, rrëfehet Leo Messi

Leo Messi është një futbollist unik, një lojtarë që ka ndryshuar shumë balancat në futboll në dekadën e fundit, nga të paktët futbollist që u përfshi në diskutimin se kush është lojtari më i mirë në botë në të gjithë kohërat, një diskutim ku më herët përfshiheshin vetëm Maradona dhe Pele. Roli i tij te përfaqësuesja argjentinase dhe te Barcelona është jashtëzakonisht i madh, madje flitet se është pikërisht ai i cili vendos për lojtarët që duhet të afrohen dhe të largohen por këtë gjë Messi e ka mohuar në mënyrë konstante e përsëriti sërish në intervistën e tij për të përditshmen spanjolle “Marca”:

“Thuhet se unë bëj zgjedhjet për futbollistët që do të vijnë dhe ato që do të largohen. Hera e fundit që kam folur me presidentin, ishte kur u eliminuam nga Champions League nga Liverpool. Kur ishte çështja e Grizmanit, na pyetën dhe dhamë një mendim por nuk morëm ne një vendim.

Nejmar? “Gjatë merkatos së verës mendova se nuk do të vinte te ne, por do të shkonte në Madrid, të Reali. Mendova se ai donte me çdo kusht të largohej nga PSG dhe Florentino Perez do të bënte diçka për ta marrë.

“Topi i Artë”? Nuk do të ishte zhgënjim nëse nuk e fitoj. Zhgënjim do të ishte nëse do të kalonte edhe një tjetër vit pa e fituar Champions League.

Momenti më i vështirë në karrierë? Në 2013-2014 kur kisha probleme me zyrën e taksave, ishte një kohë shumë e vështirë për mua. Njerëzit nuk e dinin se çfarë po ndodhte. E kisha për herë të parë dhe gjithçka më dukej shumë e vështirë. Nga ajo kohë e mësova se ishte e njëjta gjë për të gjithë sportistët por fatmirësisht fëmijët e mi ishin të vegjël dhe nuk e kuptonin. Në mendje kisha të largohesha. Jo nga Barcelona, por doja të largohesha nga Spanja. Po ndihesha i keqtrajtuar dhe nuk doja të rrija më”, u shpreh Messi ndër të tjera.