Manastirliu: Shqipëria, progres në zbutjen e pabarazisë gjinore

Qeveria shqiptare e ka vendosur axhendën me bazë gjinore në qendër të politikave të zhvillimit duke pasur një qasje gjithëpërfshirëse të fushave, të cilat janë fokusuar përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në Forumin Rajonal ”Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, tha se: ”Me krenari e them se jam pjesë e një qeverie që po bën përpjekje të mëdha për përparimin e çështjeve gjinore, përmirësimin e statusit social dhe politik dhe ekonomik të gruas shqiptare dhe ka në fokus luftën kundër dhunës në familje dhe luftës me bazë gjinore”.

I përmend këtu për dy arsye, vijoi ministrja, e para sepse besoj fort se nuk ka mënyrë më të mirë sesa arsimimi dhe edukimi i vajzave për të parandaluar që në gjenezë fenomenin e dhunës dhe abuzimin dhe e dyta të rinjtë tanë kanë potencialin për të shërbyer si aktorë dhe katalizues shërbimi. Sipas saj, edukimi dhe mbështetja e të rinjve është çelësi për të përparuar edhe në këtë drejtim.

”Është bërë punë e konsiderueshme në drejtim të përfshirjes së barazisë gjinore si një nga parimet themelore të sistemit buxhetor shqiptar, duke siguruar akses të barabartë në të drejta dhe mundësi për gratë dhe burrat. Janë 37 programe buxhetore ku janë përfshirë të gjithë Ministritë. Në Shqipëri ofrojmë shërbimet e plota, me synim riintegrimin e grave të dhunuara, në qendrën kombëtare të viktimave të dhunës dhe qendrën e mbrojtjes së viktimave të trafikimit si dhe 3 qendra që financojmë me Fondin Social në Elbasan, Vlorë dhe Tiranë, për mbrojtjen e grave viktima të dhunës, si dhe qendra Lilium që ofron shërbime për të mbijetuarat e dhunës seksuale”.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se në vitin 2018 Shqipëria u rendit në vendin e 34 të indeksit global të hendeku gjinor të forumit ekonomik duke u ngjitur me 11 vende krahasuar me vitin 2016, me përmirësime të dukshme në fuqizimin ekonomik dhe me pjesëmarrjen politike të grave dhe me përpjekjet e nevojshme në fushën e arsimimit dhe shëndetësisë që janë bërë në këto vite. ”Mbetet ende shumë për të bërë ndaj jemi këtu edhe për të mësuar ndaj njëri tjetrit e ndarë praktikat më të mira për të implementuar modelet e suksesit që kemi ndërmarrë në programet tona për zbutjen e hendekut gjinor. Masat e ndërmarra vitet e fundit janë tregues i angazhimit të qeverisë për të luftuar dhe eliminuar shkaqet që sjellin pabarazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave dhe vajzave”.

Forumi Rajonal për Promovimin e Implementimit të Konventës së Stambollit në Ballkanin Perendimor dhe Turqi do të zhvillojë punimet nga data 9-10 Tetor në Tiranë, me qëllim ndarjen e praktikave më të mira dhe sigurimin e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për të përmbushur rekomandimet e Grevios, për një përgjigje të integruar për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe zbutjen e pabarazisë gjinore në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal.