Eni Lena: Përvoja ime në “E Diell” dhe misioni i vështirë në “Bejetën e bukurisë”

Intervistoi: Albina Gjergji
Emri i Eni Lenës është shumë i njohur në botën e make-up&hair style të artistëve shqiptarë. Me mbi 16 vjet eksperiencë në këtë fushë, çelësi i suksesit të saj e ka një sekret dhe padiskutim pasioni, përkushtimi dhe lidhja me të bukurën e ka bërë atë të jetë ndër estetistet më të lakuarat në botën e televizionit e përtej. Por, sa e vështirë ka qenë për të, që të mbërrijë deri këtu ku është sot? Sigurisht, aspak e lehtë. Megjithatë, në bisedën që patëm me të, Eni nuk ndalet të flasë për sakrificat dhe mundin, por diçka e thotë me siguri. Nuk ka qenë fushë me lule, pasi suksesi për t’u arritur sipas saj kërkon seriozitet, devotshmëri dhe përqendrim maksimal. Kjo si përsa i përket punës me njerëz të famshëm, ashtu edhe me klientët e thjeshtë, për të cilët Eni Lena nuk bën dallim, përndryshe nuk do quhej profesioniste. Në intervistën e mëposhtme, dhënë për gazetën “Koha Jonë”, Lena na zbulon përvojën e saj të deritanishme, por njëherësh na flet edhe për eksperiencën e saj më të fundit në spektaklin “E Diell” të Top Channel, ku në pozicionin e anëtares së jurisë, bashkë me të tjerë profesionistë testojnë punën e 16 të rinjve, konkurrentë në rubrikën “Beteja e Bukurisë”.

“Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të ketë një grua pas talentit është parukieri i saj”, thotë një shprehje e famshme e Joan Craëford. Sa dakord jeni me këtë thënie të aktores amerikane Eni dhe pse?
Parë me sytë e një profesionisteje, nuk jam dakord. Parë në kontekstin e realitetit virtual që jetojnë vajzat sot, po. Por edhe këto vajza, pas një farë kohe zbresin me këmbë në tokë dhe vërejnë që paska shumë më shumë gjëra të rëndësishme në jetë për një grua të arrirë, sesa veç parukieri/ja i saj.

Realisht a ndikon dora e make-up artistes në gjendjen emocionale, apo psikologjinë e klientëve të saj?
Shumë, sepse unë e shoh mbasi përfundoj një pune me klienten. Ndryshon komplet gjendja e saj emocionale dhe transmeton vetëm energji pozitive. Mezi presin të flasin vetëm për diçka të bukur, pavarësisht se çfarë është. Kështu që, besoj fort që dora e make-up artistes ndikon në psikologjinë dhe gjendjen tonë emocionale.

Eni Lena, emri juaj është nga më të njohurit në botën e hair style & make-up artistëve shqiptarë. Sa e vështirë ka qenë të arrini deri këtu ku jeni sot dhe çfarë elementi në punën tuaj mendoni se ju veçon nga të tjerët?
Të jem e sinqertë, nuk kam shumë dëshire që të flas për veten time dhe të tregoj me detaje nga fillimi se sa e vështirë ka qenë kjo rrugë, pasi nuk dua të ngacmoj askënd me ndjenja aspak të rehatshme. Ama ju siguroj që nuk ka qenë dhe nuk është fushë me lule. Elementët që më veçojnë janë disa, por unë po them njërin prej tyre, që është përkushtimi me shumë pasion në çdo vajzë që vjen tek unë. Përqendrohem aq shumë që gjithçka që di dhe që kam si talent, t’ia fal imazhit që imagjinoj tek ato. Kur punoj harroj komplet se çfarë po ndodh rreth e qark.

Sa vite keni që e ushtroni këtë profesion dhe kur mendoni se një artist i profilit tuaj arrin kulminacionin e suksesit ?
Kam 16-17 vjet që ushtroj profesionin e make-up artist & hair style. Ndërsa sa i takon kulminacionin të suksesit mund të them që, shumë artiste sot e masin ndryshe nga unë suksesin… me “like”, klikim, lekë, taraf, etj.. Kurse unë do thoja që kulmi i suksesit është kur çdo klient, Vip, apo klient i thjeshtë në momentin e mbarimit të make-up_it nuk e fsheh dot kënaqësinë që ndjen. Akoma më shumë pastaj, kur kanë mbaruar eventet që kanë patur dhe e ndjejnë të nevojshme të më falenderojnë. Ky mendoj se është kulminacioni i suksesit.

Me një pasion të hershëm për të bukurën, një pikë e fortë e juaja duket të jetë edhe guximi për të eksperimentuar si me flokët, ashtu edhe në make-up. Në fakt, çfarë mendoni se e ndan dështimin nga suksesi në momentet që një artist eksperimenton?
Frika nga dështimi. Unë them që një artist që nuk guxon, nuk është artist. Artisti i arrirë zotëron gjithçka përsa i përket profesionit. Nëse e ka formuar në mendje me kompetencë, duhet ta realizojë. Le të mos i pëlqejë kujtdo.


Shumë personazhe të ekranit dhe skenës kanë kaluar estetikisht në duart tuaja. Mund të na përmendni disa nga më të famshmit dhe sa e vështirë (apo bukur) është të punosh me ta?

Nuk po përmend emra, sepse mund t’i mbesë hatri ndokujt, por po them që estetikisht është njësoj si me jo të famshmit. Mos të them që me Vip-at nganjëherë është më e lehtë. Pra, vështirësia ka arsye të tjera (qesh).

A janë tekanjozë dhe (nëse po) si reagon përballë ndonjë kritike të tyre?
Shumë prej tyre janë dhe nuk kanë faj, sepse po plotësojnë imazhin e tyre. Nuk reagoj në shumë raste, por nëse reagoj filloj t’u argumentoj pse po veproj kështu në aspektin teknik të zgjedhjes që bëjmë. Përsa i përket tekave pastaj, kam mësuar të kem imunitet që e vogël. Kam patur fatin që të jem që e vogel në televizion.

Këto kohë jeni pjesë e emisionit “E Diell” në rubrikën, “Beteja e Bukurisë”, në pozicionin e jurisë profesioniste. Si erdhi tek ju kjo ftesë dhe sa e vështirë është të gjykosh punën e 16 konkurrentëve pjesëmarrës?
Ftesën e kam marrë nga Top Channel dhe e shoh si vlerësim të madh që më bën televizioni ku jam rritur profesionalisht. Unë do mundohem që me modesti t’ua shpërblej, ndërsa me konkurrentët kam një kimi të mirë. Më kujtojnë veten. Nuk dua t’i stresoj shumë, por edhe të mos jua bëj shumë të lehtë, sepse ndryshe nuk i ndihmoj aspak në rrugën që kanë zgjedhur. është e vështirë të gjykosh punën e tyre për arsye se, unë shoh me shumë talent dhe dëshirë e nuk dua që me zgjedhjet që bëj, të gaboj.

Një garë ku të rinjtë sfidojnë njëri-tjetrin si në një “Big Brother”, çfarë i rrezikon ata më së shumti nga eliminimi?
I rrezikon mos dhënia 100% e asaj që dinë pa patur komplekse.

Shumë e suksesshme, por thjeshtësia që ju karakterizon spikat në sjelljen tuaj. Në një realitet si ky i yni, ku pompoziteti përkthehet në reklamë, a ia vlen sipas jush të ruani këtë staturë?
Natyrisht që gjithë këto vlerësime më kënaqin pa masë, por nëse nuk marr të njëjtat edhe si njeri nuk kam arritur asgjë. Pra, gjithçka tek unë buron natyrale dhe nuk sforcohem aspak për të qenë më e mira. Kjo ndoshta më ka bërë të dashur dhe kaq shumë e frekuentuar. Kështu që gjithcka që ka të bëjë me vlerat, ia vlen të ruhet.

Parë me syrin e kritikës, duket se tendencat e parukierëve dhe make-up artistëve shqiptarë influencohen shumë nga shembujt e personazheve të huaj, siç jane fjala bie, Kim Kardashian dhe simotrat e saj. A është i vërtetë ky konstatim?
është e vërtetë dhe është gabim. Unë mendoj se e bukura duket vetë, nuk ka nevojë për kopje. Në gjithë këtë që po ndodh përditë ajo që them është se, duhet të jemi sa më origjinalë, ose natyralë. Pastaj, në bazë të kësaj të luajmë me ngjyrat e jetës.

Ju ka ndodhur që ndonjë kliente t’u kërkojë ta trukoni si personazhet e famshëm; Kendall Jenner, Kim Kardashian, etj. dhe sa e vështirë është?
Ndodh shpesh, por unë nuk e zbatoj “urdhrin”, sepse më duket sikur dal nga vetja, nga puna dhe kodet me të cilat udhëhiqem. Kështu që e diskutoj me klienten dhe pasi e bind me argumente arrijmë në të njëjtin konkluzion.

Përtej sallonit të bukurisë, deri ku shkojnë ambiciet e një profesionisteje si ju Eni? Projektet, qëllimet?
Gjithsecili prej nesh, për nga vetë natyra njerëzore kërkon më shumë. Personalisht kam dëshirë dhe jam munduar të bëj projekte që gjithë eksperienca dhe vizioni im te prezantohen si vlerë në një hapësirë më të madhe se Shqipëria, por le të shohim. Kohën dhe pasionin i kemi në paketë për të bërë më të mirën e mundshme në të ardhmen.