Ekspertët: Kriza politike po penalizon ekonominë

Qytetarët dhe kompanitë e ndërtimit janë pesimistë për ekonominë dhe aktivitetin e tyre, teksa situata paraqitet e përmirësuar në sektorët e tjerë. Është ky përfundimi i treguesit të ndjesisë ekonomike për tremujorin e tretë të këtij viti, publikuar nga Banka e Shqipërisë.

”Jemi keq fare. Gjendja ekonomike dobët. Shpresa ka por nëse nuk bëhen reformat siç duhet, vështirë është”, shprehen qytetarët. Për ekspertët e ekonomisë, pasiguria e bizneseve dhe konsumatorëve për të shpenzuar lidhet drejtpërdrejt me krizën politike.

”E vërteta nuk po shihet në sy që kriza politike i ka shtrirë efektet e saj edhe në ekonomi. Në këto rrethana, ajo që duhet bërë është fokusimi i politikave shtetërore te klima e biznesit”, shprehet eksperti i ekonomisë, Zef Preçi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektorët më optimistë për sa i përket ecurisë së ekonomisë janë industria, tregtia dhe shërbimet.