Alban Zusi: Në AKU më mirë të kesh vende vakante se drejtues të paaftë

Përsa i përket reformimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), drejtori ekzekutiv, AFI Alban Zusi i ftuar në emisionin “Alert” në News24 tha se është me mirë të kesh vende vakante, se sa të kesh drejtues të paaftë.

Ai tha se ka patur nga ata që kanë braktisur detyrën me raporte 4-mujore nga paaftësia, për të mbajtur emrin drejtues dhe se më mirë që një pjesë e tyre nuk janë më, pasi nuk e bënin punën ose e bënin më keq. Zusi kritikoi komunitetin e veterinerëve që nuk po reagon dhe tha se duhet të jenë më aktivë, për të mos lejuar shkatërrimin e këtij profesioni.

Gjobat ndaj bizneseve, Zusi i konsideroi absurde, teksa shtoi se AFI ka ngritur zërin dhe ka pjesën e saj në vendimmarrjet për largimet në AKU. Alban Zusi tha se marketet gjobiten deri në 10 milionë lekë për mungesë licence, ndërsa fitojnë vetëm 10 mijë lekë në ditë.