Vasili sulmon Cakajn: S’i bëhet vonë për Shqipërinë, se e ka lidhur gomarin tjetër kund

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili ka sulmuar ashpër zëvendësministrin e Punëve të Jashtme Gent Cakaj, i cili me statusin e kryediplomatit të Shqipërisë deklaroi se i druhet votave kundër çeljes së negociatave për anëtarësim nga vendet e Bashkimit Europian.

Në fakt, edhe një votë e vetme javën e ardhshme do të thotë një “Jo” për aspiratën tonë në rrugën e integrimit.

E duke u nisur nga ky fakt, Vasili përmes rrjeteve sociale e cilëson Cakajn si “Bedelin” e qeverisë dhe trimëri që vjen si rezultat i injorancës.

Në reagimin e tij, Vasili shprehet se Cakajt nuk i bëhet vonë për Shqipërinë që nuk i hapen negociatat, se ky e ka lidhur gomarin tjetër kund… “Tamam atje ku e urrejnë dhe e luftojnë Shqipërinë”, thekson nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në reagimin e tij.

Reagimi i Vasilit

Bedeli dhe trimëria e injorancës.

Sot ky bedeli i Ministrisë së Jashtme na tregoi se nuk paska frikë fare nga votat kundër hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Po drejt e ka ky që nuk i bëhet vonë për Shqipërinë që nuk i hapen negociatat, se ky e ka lidhur gomarin tjetër kund…

Tamam atje ku e urrejnë dhe e luftojnë Shqipërinë.

Prandaj ky nuk ka frikë hiç nga votat kundër që e pengojnë Shqipërinë bile, përkundrazi, gëzohet.

Lexojeni çfarë thotë:

“Para se ti druhem votës kundër nga çdo shtet anëtar, dua të them se jemi në një përpjekje intensive për të siguruar votat pro. Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar votat pro”, ishte kjo përgjigjja e Cakës.