Meshkujt në krye të ekonomisë familjare, FMN: 39% më shumë llogari bankare se femrat, dy vite më parë gati zero

Familjet shqiptare kanë në bankat tregtare rreth 3.2 milionë llogari, në rënie krahasuar me vitet e kaluara. Në 2016-ën, kjo shifër fiksohej në 3.8 milionë llogari.  Pra, në harkun e vetëm dy viteve, numri i llogarive të familjeve shqiptare në bankat tregtare është tkurrur me 21%, thonë të dhënat në të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i përket aksesit financiar. Të dhënat e fundit i referohen vitit 2018.

Nga kjo shifër, 1.86 milionë janë depozita bankare të poseduara nga një mashkull, familjar. Femrat shqiptare ndërkohë zotërojnë 1.34 milionë llogari, pra rreth 39% më pak se sa meshkujt.  Për femrat tkurrja e depozitave bankare në bankat tregtare gjatë dy viteve të fundit është një fenomen edhe më i theksuar.

Në vitin 2016 ato kishin rreth 1.9 milionë, ose 43% më shumë se sot. Dy vite më parë, hendeku mes tyre dhe meshkujve ishte bindshëm më i ulët, në vetëm 4.6%. Pra, në harkun e 2 viteve të fundit llogaritë e shqiptarëve në banka jo vetëm që janë ulur ndjeshëm, por edhe janë përqendruar ndjeshëm në duart e meshkujve. Tkurrja e popullsisë, emigrimi i lartë, por edhe konsolidimi i sektorit bankar  janë faktorë që kanë ndikuar në këto shifra.