Marshimi për luftën kundër kancerit të gjirit, Manastirliu: Apel për kontrollin falas

“Numri i rasteve me kancer është rritur, janë 708 raste vetëm në vitin 2018, por nëse sëmundja kapet në kohë, beteja me kancerin e gjirit mund te fitohet”. Kështu është shprehur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Marshimin me gratë në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. “Beteja me kancerin e gjirit nuk është një beteje e lehtë. Në Shqiperi ka 700 raste të reja-gra e vajza të prekura nga kanceri i gjirit vetëm gjatë vitit 2018. Për fat të keq, shumica e rasteve shkojne te mjeku në stade të avancuara, çka e bën kancerin e gjirit shkakun e parë të vdekjeve nga kanceri te femrat në Shqipëri. Por nëse kapet në kohë, beteja me kancerin e gjirit mund te fitohet”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha që është bërë shumë në luftën kundër kancerit të gjirit, duke përmendur investimet e bëra për trajtimin e kësaj sëmundjeje. “Është bërë shumë në drejtim të trajtimit të kancerit të gjirit. Mjafton të kujtojmë se trajtimi me aparaturën e kobaltit që deri pak vite më parë ishte e vetmja mënyrë për trajtimin me radioterapi të pacientëve me tumour, është zëvendësuar me akseleratorët linearë të fjalës së fundit të teknologjisë në spitalin onkologjik. Edhe trajtimi me barna që trajtojnë semundjet tumoriale dhe kryesisht kancerin e gjirit është përmirësuar dukshëm. Mjafton të përmendim Herceptinën – terapinë e kushtueshme që tashmë është falas pa mungesa apo vonesa, për cdo grua që ka nevojë”, tha Manastirliu.

Manastirliu i ka dhënë çmimin “10 vjet vullnetare e fjongos rozë” Hajrie Bracellari e cila ka fituar betejën me kancerin e gjirit. “Me shumë kënaqësi I jap cmimin “10 vjet vullnetare e fjongos rozë” Hajries, një infermiereje që jo vetëm me kurajë të jashtëzakonshme e ka fituar betejën me kancerin e gjirit, por është shembull frymëzimi për cdo grua, për të gjetur forcën për tu përballur me këtë sëmundje të vështirë, po jo të pamundur për ta mposhtur”, tha ministrja.