“Jazz Festival”, edicioni i 8-të vetëm në Tiranë, s’ka para për rrethet

Rikthehet festivali i jazzit në kryeqytet. Për pesë ditë grupet më të njohura të jazzit do të interpretojnë në liceun artistik të Tiranës ritmet e kulturave të ndryshme.

Tetë banda me artistë të huaj do të përcjellin çdo mbrëmje ritmet e jazzit të ndërthurura me muzikën folk të secilit vend.

“Do të kemi muzikantë që vinë nga Lindja e Largët deri në Shtetet e Bashkuara, është një festival gjithëpërfshirës”, thotë drejtori artistik për Shqipërinë i eventit, Gent Rrushi.

Këtë vit Festivali do të zhvillohet vetëm në Tiranë, ndonëse ka një traditë prej 7 vitesh edhe në rrethe. Organizatorët shpjegojnë se mundësitë financiare e detyrojnë festivalin të ketë kaq pak hapësirë.

Programi i Jazz Festival, nga dita e martë në Liceun Jordan Misja

Gjatë këtyre 5 ditëve përballjes artistike do t’i shtohen edhe klasat e muzikës me interpretuesit e huaj. Festivali nis mbrëmjen e së martës dhe mbyll siparin më 12 tetor.