Festivali i muzikës folklorike në dy shtete. Oda dibrane mbledh 650 artistë

Për tre ditë me radhë u zhvillua edicioni i 25 -të i festivalit Oda Dibrane. Më shumë se 25 grupe me rreth 650 artistë mbushën rrugët e Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe për tre ditë me radhë.

Oda Dibrane është festivali folklorik më i madh që zhvillohet në trevat Shqiptare . Në këtë festival marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat Shqip folëse ,dhe nga shtete të ndryshme.

Ky festival është i veçantë pasi mbahet në dy shtete. Në Peshkopi (Shqipëri) dhe në Dibër të madhe në (Maqedoni).

Këtë vit për të përshëndetur ishte ansambli shtetëror i Maqedonisë.
Profesori i muzikës në Universitetin e Tetovës Jeton Pustina, anëtar i Jurisë, tregon se si u rrit Oda Dibrane dhe sot numëron 25 vite. Ai ka luajtur në edicionin e parë si kitarist, më pas ka qenë pjesëmarrës si drejtues i ansamblit të Tetovës, dhe sot si anëtar Jurie.

Koreografi i Ansamblit të Shtetit Shqiptar Gëzim Alimehmeti, vlerëson prurjet e reja nga grupet konkuruese, pjesëmarrjen e të rinjve dhe kostumografinë e larmishme.

Ky festival që nga krijimi ka menduar të risjellë në kohë folklorin e bukur, ritin, alegorinë, këngën alegorike të trevave apo zonave nga vijnë artistët, dhe këtë qëllim e ka arritur më së miri, duke i qëndruar peshës së kohës , ai sot është në vitin e 25 .

Prof.dr. Isak Shehu dekan i fakultetit të muzikës në Tiranë thotë se janë kriteret strikte që Oda Dibrane ka vendosur nga fillimi që e kanë mbajtur, por edhe grupet e përzgjedhur me kujdes kanë bërë që publiku ta mbështesë maksimalisht.

Për të përshëndetur në 25 vjetorin e Odës Dibrane këtë vit ishte Ansambli shtetëror i Kosovës “SHOTA”, i cili performoi përpara publikut artdashës Dibran, gjatë kohës që juria merrte vendimin për çmimet .

Në fund në natën e tretë juria ndau disa mirnjohje për artistë, grupe apo këngë të ndryshme.
Çmimin e parë e fitoi ansambli i Rugovës nga Kosova, çmimin e dytë e fitoi Ansambli nga Mati, ndërsa çmimin e tretë e fitoi ansambli nga Reka e Epërme në Maqedoni, i cili u vlerësua edhe për kostumografinë.

Drejtori i festivalit Veli Vraniçi tregon sa vështirë është të mbash një festival të tillë të këtyre përmasave.