Edi Rama po bën gabimin më fatal të 21 viteve

Edi Rama po bën gabimin më fatal të jetës së tij politike që prej 21 viteve kur ka hyrë në politikë. Ai në vend që të pranojë një Pakt Kombëtar me opozitën e ku vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme, edhe vendore, po bën më të keqen për vendin, por edhe për veten e tij.

Ai duhet të marrë shembull nga ish-kryeministri grek Tsipras apo kryeministri në detyrë Haradinaj në Kosovë, të cilët sapo pati krizë politike dhanë dorëheqjen; kurse Rama po bën të fortin me të fortët e vendit. Tsipras dhe Haradinaj organizuan zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe humbën, por mbeten si politikanë modern dhe të respektuar. Pranuan që për vendet e tyre të vendosë ligji dhe demokracia e votës, edhe të parakohshme.

Ndërsa kryeministri Rama, ndonëse Kosova e dënoi me ato zgjedhje përfekte që zhvilloi, përsëri nuk don t’ia dijë për asnjeri. Këmbëngul se do të shkojë deri në 2021-in në pushtet, kur pushteti ka mbaruar.

Edi Ramës mjafton ti marrësh shkrimet e viteve 1992-1997 botuar në “Koha Jone” kur kritikonte dhe sulmonte presidentin e kohës, Sali Berisha si ‘diktator, si njeri që nuk zbaton ligjin e demokracinë, si i dhunshëm, arrogant, etj, e që do përfundonte keq” dhe pas kësaj në vend të emrit Sali të vendosësh në artikujt e atyre viteve, emrin “diktatori Edi”.

Rama sot kundër Edit të dikurshëm- ja ky është kryeministri!

Nëse të ka mbetur një grimcë nga emri e dinjiteti i viteve ’92-’97 çoje vendin në zgjedhje e ku populli të vendosë lirshëm.

S.P.