Bogdani: Kumbulla luan si veteran, e dija që do të arrinte në nivele të larta

Trajneri i kombëtares U-19, Erjon Bogdani së fundmi ka dhënë një intervistë për “Calciohellas”, duke komentuar formën fantastike të Marash Kumbullës në Seria A që në sezonin e parë. Ish-sulmuesi si një njohës i futbollit italian ka dhënë mendimin e tij për talentin shkodran.

 

“Fillimi i sezonit për të ka qenë i shkëlqyer, po luan si një veteran. Nuk mendoja se do të bënte kaq mirë, ka zhvilluar ndeshje të jashtëzakonshme. Këtë sezon ka pasur rritjen e duhur dhe besimin e trajnerit. Për këtë arsye mendoj se ka marrë komplimente të shumta në Itali pas golit dhe ndeshjes shumë të mira ndaj Sampdorias.

Është një shtyllë në mbrojtjen e Hellas Verona-s. Me mua ka luajtur dy sezone të shkëlqyera te U-19 dhe e kam parë si një futbollist që kishte cilësi për të arritur në nivele të larta. Gjithmonë kam dërguar raporte pozitive për të në FSHF, duke evidentuar se është një futbollistë që duhet ndjekur me kujdes.

Merita është e Juric, por edhe e vetë lojtarit. Përtej madhësisë së tij fizike, ka këmbë të mira, arrin të godasë mirë me kokë. Kur je me një trajner si Juric, nuk arrihet me objektivin se ai luan lojtarët e rinj, por ata që e meritojnë për të zbritur në fushë.

Modeli Chiellini? Kam luajtur ndaj Giorgion dhe është një nga mbrojtësit më të fortë në botë. Në karrierën e tij gjithmonë ka pasur rritje. Marashi ka treguar se është shumë i fortë me kokë dhe i shpejt për të lexuar situatën”, deklaroi Bogdani. /R.Lika-Koha Jone/