Babai i Kumbulla-s: Erdha me gomone në Itali, rrezikova edhe jetën

Marash Kumbulla është një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Seria A. 19-vjeçari i lindur në Itali është rritur me moshat e Veronës dhe rikthimi i ekipit në elitë i dha mundësinë të debutojë në Seria A. Paraqitje pozitive dhe një gol i shënuar përballë Sampdorias deri tani.  Prindërit e tij kanë sakrifikuar dhe Gazzetta dello Sport sjell një rrëfim interesant të babait të tij.

 

Lin Kumbulla ndau mendjen, pagoi paratë dhe u nis me gomone drejt Italisë. Ishte viti 1996 dhe në Shqipëri nuk kishte shpresë. Babai i qendërmbrojtësit rrëfen gjithçka me detaje, zbulon një pjesë të karakterit të Kumbullës dhe shpreson që djali i tij, i cili mban emrin e gjyshit që nuk e njohu kurrë, të bëhet një ditë një kampion i madh.

“Familja jonë përbëhet nga shtatë fëmijë dhe pothuajse të gjithë jemi zhvendosur në Itali. Vetëm një motër jeton ende në Shqipëri. Unë kam ardhur me gomone në vitin 1996, duke i paguar 1 milionë lireta skafistit dhe duke rrezikuar jetën time. Djali im nuk e imagjinon dot se çfarë kam hequr. Unë dhe vëllai im, i cili erdhi këtu disa vite përpara meje, nisëm të punonim si muratorë. Kompania jonë e ndërtimit sot punëson 20 persona. Jemi të huaj që punojmë.

Salvini, të cilin i kemi dhënë besim, mund të jetë krenar me ne. Pas ardhjes tonë, por në një mënyrë më të lehtë, mbërritën 60 të afërm, të cilët janë të shpërndarë. Djali im mban emrin e gjyshit, të cilin nuk njohu kurrë. Ai vdiq në moshën 49-vjeçare në një aksident me makinë.”

Shpresoj që Marashi të bëhet kampion një ditë. Ai ka mentalitetin e duhur. Është i turpshëm dhe serioz, madje pak më tepër seç duhet. Të gjithë e respektojnë dhe e duan shumë, sidomos Rrahmani. Ka punuar shumë këtë verë mes pishinës dhe palestrës. Kishte një objektiv për të realizuar në kokën e tij.

Fusco dëshironte ta merrte te ekipi U23 i Juventusit, por Verona nuk hoqi dorë nga ai. D’Amico më tha se ky do të ishte viti i Marashit. Agjenti i tij, Gianni Vitali, i qëndron pranë. Ka një kontratë deri në vitin 2022 me Veronën dhe sponsori kryesor është firma Nike“, ka deklaruar Lin Kumbulla, babai i Marashit.