AMA: Tashmë, rreth 80% e popullsisë tashmë ka akses në transmetimet digjitale

Finalizimi i procesit të digjitalizimit në qarqet Tiranë dhe Durrës, çon në pesë numrin e qarqeve në rang vendi, ku tashmë janë mbyllur transmetimet analoge. Me kalimin në transmetimet numerike në këto qarqe, ku është përqendruar numri më i madh i banorëve, rreth 80% e popullsisë tashmë ka akses në transmetimet digjitale.

Përmes kësaj teknologjie, publiku ka mundësi të ndjekë numër më të lartë programesh, (në Tiranë-Durrës transmetohen 38 kanale pa pagesë), mundësohen shërbime më cilësore, ofrohet më shumë mundësi zgjedhje, më shumë interaktivitet, rritet konkurrenca në treg dhe si rrjedhojë nxiten operatorët audiovizivë drejt përmirësimit të cilësisë së programeve televizive.

Ky proces me rëndësi mbarëkombëtare është produkt i një pune të gjatë dhe voluminoze të AMA-s në bashkëpunim me qeverinë, operatorët audiovizivë dhe publikun. Në funksion të këtij procesi, AMA ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të finalizuar me sukses këtë detyrim, duke plotësuar kuadrin  rregullator, licencuar operatorët privatë kombëtarë numerike, koordinuar me operatorët për lirimin e frekuencave të zëna në mënyrë të paligjshme dhe migrimin (zhvendosjen) në frekuencat e përcaktuara, lirimin e brezit DD2 për t’u përdorur për rrjetet mobile.

AMA ka ndërmarrë një fushatë të gjerë informuese për publikun përmes të gjithë kanaleve të komunikimit si dhe ka asistuar me strukturën Call Center për të informuar të gjitha shtresat e popullsisë, përfshirë moshën e tretë, të cilët kanë akses të kufizuar në teknologjitë e reja” njofton Autoriteti i Medias Audiovizive.

Më tej, në njoftim evidentohet se qeveria shqiptare në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike si dhe ka subvencionuar operatorët audiovizivë për mbulimin e pjesshëm të kostove që shoqërojnë procesin e digjitalizimit.