A fitoj apo jo Albin Kurti?

Nga Ilir Levonja –
Siç e kemi në ngjizje, ka filluar një seri studiosh ku debatohet rreth Albin Kurtit. Se është ai që fitoj apo jo? Se është ai që largoi klasën e vjetër politike nga pushteti etj.? A do bashkëpunoj me Serbinë? Po me këta, iksin e ypsilonin pasi i ka tronditur nga themelet me deklaratat dhe protestat gati radikale. Për më tepër që është një i majtë me nuanca marksiste etj. Në të vërtetë ai që e ndoqi fushatën e fundit në Kosovë, qe një fushatë ku sharjet ishin dora e dytë, programet të para. Në Shqipëri veç pështymave nuk ka asgjë tjetër. Kjo është e zakonshme në Shqipëri dhe shpjegimin e merr menjëherë nga tërësia e pyetjeve të mësipërme, pasi nuk duan ta kuptojnë që në Kosovë nuk fitoj Albin Kurti, por demokracia. Nëse do kishte fituar Albin Kurti ai do kishte marrë afro 49% apo 52% të votave, por siç e shihni nga rezultatet e komisionit zgjedhor, ai ka fituar mbi 25%. Më pas vjen LDK-ja me Vjosa Osmanin dhe PDK-ja e komandant Veselit me afro të njëjtat përqindje. Pra fitoi demokracia në kuptimin e mirëfilltë që shqiptarët e Kosovës duan të fuqizojnë shtetin dhe jo personat. Shumë njerëz thonë që Italia shkon shpesh në votime dhe prapë ruan të njëjtën performancë, në ekonomi, politikat e brendshme dhe ato të jashtëme. Kjo ka shpjegim e thjeshtë, atë që kanë ndërtuar dhe konsoliduar shtetin, jo njëshat. Ndaj nuk është e rastësishme që emrat e politikanëve italianë nuk janë dominantë në ekranet e ditës, si përshembull Edi Rama apo Erion Veliaj në Tv-të shqiptare.
Shqiptarët e Kosovës reaguan plot vitalitet si shoqëri. Por mos harroni se sado t’i përflasim komandantët e luftës në Kosovë, ishin ata që hapën krahun, që çuan vendin në zgjedhje të parakohëshme. Qe Rramush Haradinaj, po ky që sot deklaroj se nuk kërkon rinumërim dhe se e njeh rezultatin për të vetmen arsye verdiktin e qytetarit. Ndryshe nga bashkëkombësit tanë, ne në Shqipëri vinë nga kultura e unit, jo e rolit vendimtar si shoqëri. As mos e çoni nëpër mend që Edi Rama të jap dorëheqjen si Rramushi. Dhe as mos e çoni nëpër mend të garantoj zgjedhje të lira. Ndaj roli i qytetarëve duhej të jetë më i fortë, se ndryshe nuk ka për tu dërrmuar kurrë kulti i individit. Shqipëria ka plot 8 muaj që është në një ngërç institucional, shoqëria shqiptare debaton për të drejtën e deputetëve në lista, Ramën etj. Kush me këtë e kush me atë, duke zeruar rolin e saj. Pyetjes së një gazetari nga Tirana, se nëse nuk arrin të kapi numrat, në lidhje me koalicionet, çfarë do bëj Albin Kurti? Ky i përgjigjet se shkojmë në zgjedhje të reja etj. Kurse në Shqipëri ngërdheshen. Dhe ashpërsojnë gjuhën karshi njëri-tjetrit se kush i do dhe kush i pengon çeljen e negociatave, qeveria apo opozita! Nëse kultura sociale e Kosovës do dominonte te ne, ta dini, Shqipëria do ishte me kohë partnere e Europës. Dhe nëse negociatat çelen fundjavën tjetër, propaganda e kuqe do e mbysi vendin. Sado dështime, sado rrënim ekonomik, sado braktisje, kulti i individit do dominojë dekada të tjera. Kjo si pjesë normale e mbrapshtisë tonë me adhurimin karshi Unit, se sa me realitetin buzëplasur europian për t’i pasur shqiptarët pjesë organike të trungut. Por edhe me rënien e vazhdueshme, pa aftësinë për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë. Kjo është një vetvrasje e butë që një tufë bashibozukësh nga regjimi i kaluar, e paragjykojnë votuesin e Kosovës se sollën në pushtet një marksist si Albin Kurti. Megjithëse si majtas dhe djathtas janë plot me marksista, mjaft të kujtojmë ish ministrin e brendshëm të Ramiz Alisë në krye të Kuvendit etj. Ish ministrin e arsimit po të Ramiz Alisë në krye të Akademisë, institucionit që një vit më parë kryeministri u orvat te shkrinte si hallkë e logjikës administrative e ish Bashkimit Sovjetik. Deputetë si Spartak Braho, etj. prokurorë nga diktatura. Shoqëria e Kosovës, shqiptarët në pjesën e sipërme nuk t’i falin këto. Kurse ne i ofrojmë poste. Ashtu sikundër dhe e djathta mbajti si lider një komunist po nga diktatura. Ndaj është koha të kuptojmë përfundimisht se, demokraci do të thotë vullnet popullor jo ai i Ramës, Bashës e ndonjë tjetri. Kësisoj Kosova e Hasan Prishtinës i ka, Shqipëria e Enverit dhe Ramizit është akoma ca vite drite larg. Ndaj nguliteni në kokë se në Kosovë nuk fitoj Albini, por shoqëria, Kosova, demokracia.