Ylli Manjani: Doni reformë zgjedhore?!

Nga Ylli Manjani –
I keni vënë re se si shtypen, shtrydhen, djersijnë, ulërijnë, shkumëzojnë kryetarët e partive tona në përpjekje për t’iu shmangur pyetjes se si duhet të jetë sistemi zgjedhor?!

Normal. Sistemi aktual u jep atyre pushtet pa vota. Pa zgjedhje!!! Sistemi aktual i ndan fituesit e zgjedhjeve para se ato të bëhen!!!

Sistemi aktual ka lloj lloj gremçash e proçedurash për votimin, për regjistrimin, për komisionerët, për ankimin, por asnjë garanci që shqiptarët (e Republikës së Shqipërisë) të zgjedhin!!! Sistemi aktual votimet i quan zgjedhje.

Ky sistem është produkt i kryetarëve vetëm për pushtetin e tyre. Por për fat të mirë me rrëshqitjen në monizëm dhe me degjenerimin e dukshëm të parlamentit këtij sistemi i ka ardhë vdekja.

Nuk kam asnjë dyshim, përkundrazi më forcohet bindja e thellë se sistemi i vetëm të ndryshon totalisht sistemin e kalbur politik në vend është :

PROPORCIONAL KOMBËTAR.

Pa asnjë barazh (prag artimetik) madje!

Një parlament me 100 maksimumi 110 deputetë, por jo më shumë.

Më vonë mund të flasim edhe për ndonjë dhomë senati. Por si fillim duhet të ndërtojmë demokracinë parlamemtare.

Konkurrencë e lirë partish dhe individësh në zgjedhje. Pa pengesa diskriminuese.

Asnjë koalicion parazgjedhor. Vetëm koalicione paszgjedhore programore dhe jo pazare vendesh pune.

Dhe në fund një parlament që del realisht nga votat e zgjedhësve. Qeveria do jetë gjithnjë nëm presionin e rrëzimin nëse nuk performon siç duhet.

Nuk do kemi më stabilitet qeverish që qelben kokë e këmbë e si luan dot askush! Por do kemi popullin që vendos sa herë partitë dështojnë.

Ja ky është sistemi i ri sipas meje. Më i thjeshti i mundshëm. Numri i votave që të jep populli si subjekt pjestohet me numrin total të votave në shkallë vendi dhe shumëzohet me numrin e vendeve në parlament. Asnjë bisht, presje apo shenje tjetër.

Demokraci e pastër fare!

Asnjë kryetar partie nuk e thotë këtë. Nuk e thotë sepse bie sistemi politik që i mban aty ku rrinë, pa garë e pa vota…!

Pa le po do bëjnë reformë zgjedhore.

Reformë leshi!