Blushi: Mashtruesi i “opozitës së re” dhe parlamenti antikushtetues me 122 deputetë

Halit Valteri dhe Ulsi Manja duke u “shpjeguar” situatën në Shqipëri ekspertëve të Komisionit të Venecias

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, ka reaguar sot ndaj akuzave që ka bërë deputeti dhe anëtari i komisionit hetimor për kreun e shtetit, Halit Valteri. Blushi shprehet se Valteri është vetëm një pupac më shumë në listën e pagave të Rilindjes dhe jo deputet i Kuvendit.

Blushi i ka bërë dhe disa pyetje publike Valterit, që lidhen me të kaluarën e dyshimtë të tij.

Reagimi i plotë i Tedit Blushit:

Për lolon e opozitës së re, i cili mashtroi sot qëllimisht për Draft Opinionin e Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë (siç mund të provohet edhe me foto):

I bëj thirrje Rilindjes t’i lidhë këta pupacë të opozitës së re, si puna e këtij lolos, që i duket vetja se është deputet. Në fakt është thjesht një numër dyshifror në fundin e fundit të listës për deputet.

Një rrogëtar i paligjshëm i Rilindjes që ushqehet me përshesh për të provokuar figurën e Presidentit. I kujtoj këtij pupaci të Rilindjes, që para se të marrë guximin të flasë për Presidentin e Republikës të sqarojë të kaluarën e vet në raport me ligjin dhe t’u thotë shqiptarëve:

Nëse ka qenë apo jo në survejim nga shërbimet e sigurisë?

Për çfarë veprash të rënda është dyshuar dhe për cilën arsye është ndjekur nga shërbimet për një kohë të gjatë?

Larg qoftë pupac këto raporte publikohen një ditë!!

Ndaj lidh gojën se nuk e dimë a ta ble dot Rilindja edhe të kaluarën!

Megjithatë, i kujtoj këtij pupaci që flet në emër të Komisionit të Venecias, ndoshta ngaqë hëngri plënca me ta në Tiranë, siç vërtetohet dhe me foto, se vlera e votës së tij të paligjshme është ZERO ME XHUFKË!

Presidenti i Republikës është i vendosur për të mbrojtur Kushtetutën e vitit 1998 dhe nuk ka pupac, që mund t’a ndalojë!

Për të disatën herë, u sqaroj pupacëve dhe gjithë të tjerëve, se fjala tejkalim nuk ekziston në Kushtetutë, por vetëm në planet e votimeve moniste të Rilindjes, të mbështetura çuditërisht dhe nga opozita e re.

Vlera e votës së çdo pupaci të Rilindjes që përfaqëson fundin e fundit të listave të gjithë partive opozitare, pas dorëheqjes së 182 deputetëve dhe kandidatëve të partive opozitare është vetëm një ZERO ME XHUFKË .

Nuk është Presidenti që ka probleme me Kushtetutën por është Kuvendi në gjendje të rëndë antikushtetuese.

Ndaj mazhoranca të reflektojë, t’i shërbejë zgjidhjes së krizës së rëndë që tani, t’i falenderojë pupacët e t’u thotë që shërbimet e tyre nuk vlejnë më!

Tani është koha për të përmbushur kushtet e Bundestagut dhe për të ecur sa më pranë Maqedonisë Veriore! /Tedi Blushi/

Siç dihet parlamenti i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Kështu shkruan Kushtetuta, por aktualisht parlamenti ka vetëm 122 deputetë, pasi deputetët e “opozitës së re” (!) kanë mbushur listat nga fundi pasi të gjithë deputetët dhe kandidatë për deputetë nuk kanë pranuar të futen në parlament.

Kësisoj parlamenti i sotëm është antikushtetues. Por Presidenti Meta bën një gabim që nuk firmos dekretin për shkrirjen e këtij parlamenti të turpshëm.