Ndalohen maskat në protestë

Autoritetet në Hong Kong miratuan me urgjencë një ligj, i cili i ndalon protestuesit që të mbajnë maska. Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se kjo masë synon “të kthejë paqen” në kohën kur rendi publik “është në rrezik”. Protestat në Hong Kong kanë nisur prej muajsh fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, i cili më pas është tërhequr.

Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut. Ligji i ri, edhe pse nuk pritet të miratohet zyrtarisht nga legjislatura e Hong Kongut deri në mes të tetorit, do të hyjë në fuqi mesnatën e sotme.

Shkelësit e ligjit të ri do të përballen me dënim deri në një vit burgim dhe me gjobë deri në 3,200 dollarë. Mbi 1,750 njerëz janë ndaluar deri më tani si rezultat i protestave. Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.