Trafiku ndërkombëtar i drogës dhe përgënjeshtrimet e Policisë

Nga Pëllumb Nako –

Strategjitë e këtyre viteve të Policisë, për të mos bërë publike shifrat dhe rezultatet e luftës kundër kanabisit, kanë rezultuar në rastin më të mirë shumë të gabuara për të dhe në rastin më të keq me efekt të kundërt për sigurinë e publikut, si rezultat i manipulimit të realitetit. Për Policinë do të ishte më e udhës të bënte aleat median dhe publikun edhe në rastet kur ajo përpiqet, por dështon në aksionet e saj, sesa të mundohet të fshihet e të falsifikojë ngjarjet dhe sidomos t’i përgënjeshtrojë flakë për flakë kur ato bëhen mediatike duke tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit. Pa bërë paraprakisht verifikimet e duhura profesionale. Pikërisht një strategji e tillë, jo rrallë e ka nxjerrë Policinë zbuluar, të kapur gafil me deklarime të pavërteta, me produkt kthimin e saj në një organizatë me profil të ulët. Profil ky që ndikon dukshëm në besueshmërinë e saj si institucion. Veprime të tilla të Policisë po bëhen vite që vihen re, por mesa duket në kuadrin e një orientimi të të qeverisurit nëpërmjet manipulimit propagandistik, edhe ajo nuk ka sesi të shpëtojë nga fryma që mbizotëron. Për Policinë, kjo është katastrofike.

Suksesi i saj bazohet shumë jo mbi fakte e rezultate të punës, por në perceptimin dhe ndjeshmërinë e opinionit publik. Në besimin që ai ka te Policia. Vetëm një manipulimi i së vërtetës në këtë rast është shumë herë më i dëmshëm, sesa dobia e dhjetëra aksioneve të suksesshme të Policisë. Kjo sepse siguria për çdo individ është ndjesi subjektive dhe si e tillë ajo ndërtohet. Manipulimi e shkatërron. Për më tepër për specifikat e aktivitetit të Policisë, mungesa e transparencës i heq asaj oksigjenin e funksionimit. Kur bëhet fjalë në raport me trafiqet ndërkombëtare, si në disa raste të fundit, Policia e Shtetit e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të fshehë faktin e ndodhur. Pra, edhe nëse do të ecte kjo strategji brenda vendit, do të zbulohej nga faktori ndërkombëtar.

Njoftimet mediatike të ditëve të fundit kanë shtuar dukshëm dëshmitë se trafiku i drogës më origjinë territorin shqiptar vazhdon. Edhe nëse e deklaron apo nëse nuk e deklaron policia. Organizatorët e tij vetëm sa kanë ndryshuar rrugët dhe itineraret e ndjekura, mënyrat e sipërmarrjes së bashku me destinacionet. Këtë e dinë shërbimet policore të Italisë fillimisht dhe së fundmi edhe ato greke. Këtë e kanë mësuar edhe mediat e këtyre vendeve, si dhe ajo e vendit tonë. Vetëm Policia shqiptare nuk ka ndryshuar. Ajo vazhdon të përgënjeshtrojë. Kolegët e huaj bëjnë goditjet, media e tyre si dhe e vendit tonë e pasqyrojnë, ajo i përgënjeshtron. Dyfish problematike. Jo vetëm nuk është në gjendje të bëjë maksimumin e parandalimit të trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe përgënjeshtron kur ato bëhen të pranishme nga mediat ndërkombëtare e më pas nga ato kombëtare.

Një nga drejtuesit e Policisë së Drejtorisë së Atikës në Athinë, bëri publike goditjen e një grupi kriminal shqiptar, që mundohej të transportonte kanabis në shkëmbim të heroinës në brigjet e shtetit turk, nëpërmjet ujërave detare të Greqisë. Me fjalë të tjera, drejtuesi i lartë grek zyrtarizoi pikërisht atë informacion, të cilin mediat e kishin dhënë disa ditë më parë të mbështetura në burimit e tyre. Pra, atë ngjarje të cilën Policia jonë e Shteti e përgënjeshtroi po zyrtarisht. Duke pasur monopolin e informacionit brenda vendit dhe të shkëmbimit me atë ndërkombëtar, gabimisht apo me dritëshkurtësi, pak rëndësi ka, Policia mendon se e dominon faktin e vërtetë e ta vërtisë atë sipas interesave të kastës politike drejtuese.

Pavarësisht se kanë ndryshuar drejtuesit e lartë të Policisë, pavarësisht se ka ndryshuar edhe drejtimi politik i saj, qasja që ofron Policia e Shtetit ndaj fenomeneve kriminale me zhurmë të madhe në publik, mbetet e njëjtë. Mendësia që e imponon, i takon klasës politike që e drejton atë aktualisht.

Përse pretendohet një fakt i tillë?

Kur në muajin mars të vitit 2017, pra pak më shumë se dy vite më parë, të gjithëve u kujtohet se Policia e shtetit italian sekuestroi një ngarkesë prej 8 tonësh kanabis të ngarkuar mbi një mjet me targa maqedonase dhe të drejtuar nga një shtetas po ashtu maqedonas, media e vendit tonë, e bazuar në atë të vendit fqinj njoftoi se sasia rekord kishte kaluar me sukses gjithë territorin dhe brigjet shqiptare për të përfunduar e sekuestruar nga autoritetet italiane të ligjit. Lajmi mori dhenë dhe Policia e Shtetit u mundua t’i vërë fre sipas mënyrës së saj. Ajo doli me një deklaratë për të sqaruar publikun dhe në fakt e mashtroi atë. Pa pikën e turpit. Flakë për flakë me njoftimet, ajo qartësoi se droga nuk kishte pasur të bënte fare me territorin shqiptar. Se këtë të vërtetë e kishte nga shkëmbimi informacionit me kolegët matanë detit dhe se ajo mbetej e përkushtuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër drogës.

Ndërkohë më vonë, nga thellimi i hetimeve të ndërmarra nga Prokuroria e vendit, rezultoi se mjeti ishte kontrolluar në hyrje të Shqipërisë, ishte ngarkuar brenda vendit, në Elbasan dhe kishte vazhduar rrugën drejt Italisë. Për këtë gjë u futën në burg edhe disa punonjës Policie. Pluhuri i harresës më pas mbuloi gjithçka. Dhe Policia e kaloi lumin e turpit me abuzimin ndaj publikut. Askush nuk mbajti përgjegjësi për gënjeshtrën e turpshme.

Edhe para disa ditëve, pra pas dy viteve, historia përsëritet. Policia me një këmbëngulje të hatashme për të mos vënë mend dhe për të gënjyer. Me një kokëfortësi për të dështuar përsëri turpshëm. Pavarësisht se drejtimi i saj teknik e politik ka ndryshuar.

Të gjitha mediat bënë me dije një ngjarje tjetër me përmasa edhe me të rrezikshme nga ajo e hasur në Itali. Në ujërat greke, Policia dhe Roja Bregdetare e këtij vendi kishin ndjekur e ndaluar dy gomone dhe dy shtetas shqiptarë e një italian. Operacioni kishte zgjatur disa ditë. Droga ishte nisur nga brigjet tona. Policia, në vazhdim të papërgjegjshmërisë së saj, e kishte përgënjeshtruar disa ditë më parë njoftimin. Njëlloj si dy vite më parë. Ajo deklaroi se në komunikim me homologët grekë, lajmi i dhënë në media, është tërësisht i pavërtetë. Nuk vonoi dhe erdhi njoftimi zyrtar. I pavërtetë ishte përgënjeshtrimi i Policisë. Përsëri si vite më parë, ajo po hesht. Turpshëm.

Ajo që duket dhe ka rëndësi për opinionin është fakti se trafikantët kishin ndërruar shumë gjëra për të bërë trafikun. Mjetet. Gomone e tillë, me fuqi të madhe, me itinerar kaq të gjatë ishte risi, krahasuar me ato që kalojnë Otranton. Pamjet që sollën mediat paraqesin mjete që përdoren më shumë nga organizatat mafioze italiane, kryesisht Ndrageta, për trafiqet e të gjitha llojeve në det. Po ashtu doli se trafikantët shqiptarë nuk po vepronin të vetëm. Fakt ky tashmë i njohur, por brenda territorit italian. Lidhjet e tyre me mafian e këtij vendi dhe ty dyja së bashku duket se me destinacionin drejt Turqisë po tregojnë prirjen që në bashkëpunim dhe aleancë të ndjekin rrugë të reja për të kapur tregjet e heroinës. Kanabisi i ofruar nga territori shqiptar, gomonia e ofruar nga kriminaliteti italian, nisja nga brigjet shqiptare dhe destinacioni Turqia, nëpërmjet ujërave detare të Greqisë flet për një organizim jo të thjeshtë. Madje të frikshëm.

Pra, droga hyn në Shqipëri e del prej saj. Tranziton, dhe për arsye tregu kriminal, ndryshon edhe destinacion. Kur mediat e pasqyrojnë, Policia shqiptare as parandalon e as godet, por vetëm përgënjeshtron.

Panorama.com.al