Pastrimi i Parave, Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për masat shtrënguese ndërkombëtare

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar të mërkurën projektligjin për masat shtrënguese ndërkombëtare në funksion të rritjes së sigurisë.

Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishin përfaqësues të lartë nga pesë ministri të ndryshme: zëvendësministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, z. Etjen Xhafaj; si edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Bujqësisë.

Drafti u paraqit në Komision nga Zëvendësministri i jashtëm Etien Xhafaj, i cili tha se prioritet do t’i jepet luftës kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të përfshihen në zbatimin e tij agjencitë më të rëndësishme ligjzbatuese në vend.

Sipas tij, një strukturë e posaçme në Ministrinë e Jashtme do të monitorojë aplikimin e masave parandaluese që cenojnë sigurinë.

Ligji parashikon rritjen e nivelit të vëmendjes ndaj rrezikut të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja dhe zbatimi i masave shtrënguese ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, si dhe arritja e objektivave të tjerë të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.”,- u shpreh për komisioni zëvendësministri Xhafaj.

Relatori i projektligjit, Edmond Leka, dha dakordësinë e tij me projektligjin duke bërë edhe sugjerimet përkatëse. Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin.