Banka e Shqipërisë nuk e ul normën bazë, Sejko: Ngadalësimi i rritjes ekonomike është kalimtar

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi ditën e mërkurë të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%, pavarësisht inflacionit të ulët dhe një rritjeje ekonomike ndjeshëm më të dobët se parashikimet.

Në konferencën për mediat pas mbledhjes, Guvernatori, Gent Sejko, tha se këto zhvillime janë pasojë e goditjeve kalimtare dhe ecuria e treguesve të tjerë të shëndetit të ekonomisë është në një trajektore pozitive. Megjithatë, siç bëri edhe në muajin gusht, ai nuk përjashtoi një ulje tjetër të normës bazë, nëse rreziqet që këtë vit janë shtuar, do të materializohen në goditje të mëtejshme në ecurinë e inflacionit dhe rritjes ekonomike.

Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të kreditimit të sektorit privat dhe uljen e mëtejshme të raportit të kredive me probleme në nivelin 11%.

Në orientimin e përditësuar për tregjet, Banka e Shqipërisë u shpreh se norma bazë e interesit nuk do të rritet të paktën deri në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm. Skenari bazë i Bankës Qendrore parashikon përshpejtim të rritjes ekonomike gjatë dy viteve në vazhdim dhe kthim të inflacionit pranë objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Fjala e plotë e mbajtur para medias nga Guvernatori Gent Sejko:

Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se informacioni i ri ekonomik dhe financiar ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet. Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt korrik e gusht, norma e rritjes ekonomike vijoi të pasqyrojë efektin e goditjeve afatshkurtra, ndërsa kushtet financiare mbeten stimuluese.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se, pavarësisht goditjeve të ofertës, trendi i zhvillimit të ekonomisë shqiptare mbetet pozitiv. Kjo ecuri ilustrohet nga shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, nga rritja e punësimit dhe pagave, si dhe nga përshpejtimi i kreditimit.

Bazuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës rikonfirmoi pritjet mbi ecurinë pozitive të ekonomisë në të ardhmen, por konstatoi se rreziqet e kahut të poshtëm janë shtuar.

Në këto rrethana, Këshilli vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

***

Inflacioni shënoi një vlerë mesatare prej 1.5% në muajt korrik – gusht, kundrejt vlerës mesatare prej 1.4% të tremujorit të dytë. Luhatjet e inflacionit gjatë muajve të fundit kanë pasqyruar luhatjet e çmimit të ushqimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ka qenë përgjithësisht i stabilizuar ose me një tendencë të lehtë rritëse.

Në terma makroekonomikë, ecuria e inflacionit ka pasqyruar forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, ndërkohë që inflacioni i importuar ka ardhur në rënie. Ky i fundit është ndikuar nga tendenca rënëse e inflacionit dhe e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 2.3% gjatë tremujorit të dytë. (Paralelisht me të, INSTAT-i ka rishikuar për lart normën e rritjes për tremujorin e parë, duke e rivlerësuar atë në 2.4%).

Nga këndvështrimi i prodhimit, rritja ekonomike në tremujorin e dytë është diktuar nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të bujqësisë, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit kanë shfaqur rënie. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja e aktivitetit ekonomik ka pasqyruar zgjerimin e konsumit, ndërkohë që investimet dhe bilanci i shkëmbimeve tregtare me jashtë kanë pasur efekt negativ.

Të dhënat paraprake të disponuara për tremujorin e tretë sugjerojnë një ecuri të ngjashme me tremujorin paraardhës.

Ngadalësimi i ritmit të rritjes në gjysmën e parë të vitit pasqyron kryesisht reduktimin e prodhimit të energjisë elektrike dhe pjesërisht efektin e përfundimit të projekteve të mëdha energjetike. Sa më sipër, Banka e Shqipërisë pret që këto goditje oferte të mbeten kalimtare. Efekti i tyre do të jetë i dukshëm në normën e rritjes së vitit 2019, por ai nuk ndikon vlerësimin tonë mbi gjendjen ciklike të ekonomisë dhe pritjet tona mbi trendet afatmesme të zhvillimit të vendit.

Në këtë kontekst, rritja e punësimit në tremujorin e dytë, paralelisht me rënien në 11.5% të normës së papunësisë dhe me rritjen me 4.5% të pagës mesatare, sugjerojnë se zgjerimi i kërkesës agregate është i mjaftueshëm për të siguruar shfrytëzim në rritje të kapaciteteve prodhuese.

Ky trend pozitiv zhvillimesh pasqyron dhe efektin e politikës tonë monetare stimuluese.

Në përgjigje të stimulit tonë monetar, tregjet financiare dhe kushtet monetare mbeten akomoduese për nxitjen e kërkesës agregate dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga norma të ulëta interesi, situatë e mirë likuiditeti, qëndrueshmëri në rritje e kursit të këmbimit, dhe një trend rritës kreditimi.

Në veçanti, kredia për sektorin privat ka vijuar të përshpejtojë ritmin e rritjes, duke shënuar një normë mesatare rritjeje prej 7.4% në dy muajt e parë të tremujorit të tretë.

Rritja e kredisë vijon të shfaqë një bazë të gjerë, duke pasqyruar si përshpejtimin e kreditimit në segmentin e bizneseve dhe individëve, ashtu dhe zgjerimin e kredisë në segmentin e lekut dhe të valutës.

Trendi pozitiv i kreditimit ka përfituar nga rritja e kërkesës dhe e ofertës për kredi. Përmirësimi i ofertës dëshmon rrezikun në rënie të kreditimit në vend, sikundër ilustrohet nga rënia në 11% e nivelit të kredive me probleme në muajin gusht, si dhe efektin pozitiv të ristrukturimit të sektorit bankar, nëpërmjet hyrjes së aktorëve të rinj në treg.

***

Në reflektim të informacionit të mësipërm, përditësimi i parashikimeve tona të rritjes ekonomike dhe të inflacionit nuk solli ndryshime të ndjeshme nga raundi paraardhës.

Në skenarin tonë bazë, Banka e Shqipërisë pret një rritje të vazhdueshme të ekonomisë gjatë horizontit afatmesëm. Tejkalimi i efektit të goditjeve të ofertës pritet të shoqërohet me një përshpejtim të ritmeve të rritjes gjatë dy viteve në vijim. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të ushqehet nga kushtet e favorshme financiare dhe nga zgjerimi i mëtejshëm i kreditimit, si dhe do të mbështetet nga bilancet e shëndetshme financiare të sektorit privat dhe nga përmirësimi i besimit.

Bazuar në projeksionet tona, Banka e Shqipërisë pret kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Duke gjykuar mbi këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe,

Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare përgjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vijon të konstatojë se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar më tej. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës shfaqet në ngadalësim, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri.

Nisur nga sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i goditjeve të rrezikut mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë bën thirrje për vijimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore, si instrumenti kryesor i rritjes së produktivitetit, zgjerimit të potencialit ekonomik, rritjes së rezistencës ndaj goditjeve, dhe konvergimit me standardet e Bashkimit Evropian.