Liberalizimi i vizave për Kosovën kalon votimin e parë, Haradinaj ka një kërkesë

Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) në Bashkim Evropian, ka votuar edhe një herë tjetër pro fillimit të negociatave me Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e Bashkimit Evropian për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.

Gjashtëmbëdhjetë deputetë kundërshtuan dhe një abstenoi.

Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator të vitit 2018 dhe mars të vitit 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE-së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.

“Komiteti LIBE pajtohet të fillojnë bisedimet me Këshillin Evropian mbi propozimin e heqjes së vizave për Kosovën. Mandati do të duhet të konfirmohet nga Parlamenti Evropian”, njofton Komiteti LIBE.

Në një reagim, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj,  thotë se ndonëse ky është një votim i përsëritur për të dytën herë, i gëzohem përkrahjes, që legjislatura e re e BE-së vazhdon t’i jap Kosovës në këtë të drejtë tashmë të fituar.

Haradinaj: Me gjithë vonesat dhe diskriminimin ndaj Kosovës, është për t’u përshëndetur votimi i sotëm i Komisionit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Liritë Qytetare (LIBE) për procesin e rinisjes së negociatave ndërinstitucionale me Këshillin e Bashkimit Europian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Ndonëse votim i përsëritur për të dytën herë, i gëzohem përkrahjes, që legjislatura e re e BE-së vazhdon t’i jap Kosovës në këtë të drejtë tashmë të fituar.Kosova dhe qytetarët e saj, presin që me të njejtën përkrahje do të përsëritet edhe votimi i nevojshëm në Parlamentin Europian, dhe përfundimisht në Këshill, që të hapen rrugët e shkëmbimeve kulturore, akademike, e turistike me Europën edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së.

Burime të Radios Evropa e Lirë kanë thënë në kushte anonimiteti se Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në vendet e BE-së.