Xhaçka: Tirana dhe Durrësi qarqet më të prekura. 563 banesa të dëmtuara

Në mbledhjen urgjente të qeverisë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi se dita e sotme ka qenë e ngarkuar për të gjithë vendin. Ajo pohoi se dëmet janë modeste, duke veçuar Tiranën dhe Durrësin që kanë pasur dëmet më të rënda. Nga ana tjetër, Xhakça tha se deri më tani janë 563 banesa të prekura nga tërmetet.

 

“E sotmja ka qenë një ditë e ngarkuar për vendin dhe grupet e punës që kanë qenë të angazhuar. Ka qenë një ditë me ankth. Tani që kemi një pasqyrë më të qartë të situatës nga terreni e kemi të qartë që dëmet reale janë shumë më të vogla nga ato që priteshin. Tërmeti që ra sot ishte i madh dhe duke parë përmasat e saj them se kemi qenë me shumë fat që dëmet janë kaq të vogla. Kemi arsye të besojmë se situata është nën kontroll. Ka pasur 105 persona të lënduar. Këto lëndime kanë ardhur si pasojë e situatës së frikës dhe nxitimit për të lënë banesat. Gjëja e fundit për të cilën kemi nevojë është paniku. Në këto momente nuk duhet të veprojmë në panik. Më e keqja është kaluar. Dëmet janë modeste. Por dëme ka pasur.

Qarqet më të prekura janë Tirana dhe Durrësi.-Në qarkun e Tiranës kemi 293 banesa të dëmtuara, 20 pallate të plasaritura.

Në Durrës 185 banesa me dëmtime, 5 pallate me krisje.

Elbasan- 24 banesa, 3 pallate.

Berat vetëm një banesë e dëmtuar.

Dibër- 17 banesa të dëmtuara.

Fier 4 banesa të dëmtuara, puset e naftër atje janë të padëmtuara.

Lezhë- 38 banesa.

Vlorë- 1 banesë. Nuk ka raportim për dëme në qarqet e tjera. Kjo është një pasqyrë paraprake e dëmeve.

Kemi bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë. Nuk raportohet për dëme serioze. Ekipet që do të ngrihen duhet të inspektojnë dhe të verifikojnë nga afër çdo rast. Kjo do të nisë nga nesër. Çdo banor mund të shfrytëzojë për strehim qendrat sociale dhe shtëpinë e pushimit të ushtarakëve në Durrës. Askush nuk mund të parashikojë tërmete. Ne kemi për detyrë të qëndrojmë në gatishmëri. Ky ishte vetëm fillimi. Puna e vërtetë nis tani”, tha Xhaçka.