Tërmeti që shkundi Shqipërinë, jehonë në mediat e botës, nga CNN, Reuters e Der Spiegel

Lajmi për tërmetin e fuqishëm që tronditi Shqipërinë është pasqyruar në mediat më prestigjoze ndërkombëtare. Nga CNN deri tek “Der Spiegel” dhe “Reuters” kanë shkruar për dëmet dhe të lënduarit, ndërsa theksonin faktin se ishte lëkundja më e fuqishme në dekada.

Euronews e ka hapur artikullin e posaçëm me titullin “Tërmet në Shqipëri, lëkundja me magnitudë 5.6 Rihter ndihet në kryeqytetin Tiranë”. Ajo shkruan se epiqendra ishte në qytetin e Durrësit dhe citon Ministrinë e Mbrojtjes që ka thënë se ishte tërmeti më i fuqishëm i 30 viteve të fundit. Vëmendje i kanë kushtuar edhe mediat e njohura britanike “Express” dhe “The Mirror”.

Ato i kanë kushtuar vëmendje numrit të të plagosurve, rreth 70, dhe faktit që ishte tërmeti më i fuqishëm ndër dekada. “Disa banesa u shkatërruan dhe njerëzit vërshuan menjëherë jashtë tyre”, shkroi “The Mirror” në edicionin e saj online.

Në Shtetet e Bashkuara, CNN ka bërë gjithashtu një raportim të detajuar mbi lëkundjen e fuqishme sizmike. Rrjeti informativ amerikan citon Qendrën Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara, sipas të cilës epiqendra e lëkundjes ishte në bregdetin e qytetit-port të Durrësit, 35 kilometra në perëndim të Tiranës.

Një pasqyrim të ngjashëm ka bërë edhe agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka përmendur edhe faktin se lëkundja e parë u pasua nga një lëkundje tjetër e fuqishme. Ndërkohë, nga mediat italiane, Rai News njoftoi se 100 persona mbetën të plagosur nga tërmeti, që dëmtoi rreth 400 banesa dhe madje u ndje deri në rajonin e Pulias.

I njëjti burim mediatik shkruan më tej se Italia është shprehur e gatshme t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë. Në të njëjtat linja e ka raportuar lajmin edhe e përditshmja “La Repubblica”, që në titull ka shkruar për 60 të plagosur dhe për frikë e panik të ndjerë edhe në rajonin e Pulias.

Edhe agjencia shtetërore e lajmeve “ANSA” i ka bërë një raportim të detajuar në faqe të parë ngjarjes, duke vënë në dukje bilancin e të lënduarve, mbi 100 persona dhe atë të shtëpive të dëmtuara, rreth 400.

Ndërkohë, në Gjermani kanë qenë revistat prestigjoze “Der Spiegel” dhe “Bild” që kanë raportuar lajmin online, si dhe rrjeti informativ “Deutsche Welle”, që ka dhënë të njëjtat detaje sikundër mediat e tjera.