Rama në Durrës: S’ka vend për panik, tërmeti i djeshëm nuk është efektiv

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Durrësi se situata e panikut ka kaluar dhe se tashmë po punohet për strehimin e familjeve që do të kenë nevojë.

 

“Nuk ka vend për panik. Njerëzit duhet të jenë të qetë, edhe pse kjo është një fjalë goje dhe sidomos ata që kanë fëmijë të vegjël janë të mirëkuptuar në shqetësimin e tyre. Kush është i pasigurt, ka në dispozicion 700 shtretër te konvaleshenca për të mirëpritur dhe strehuar çdo familje që ka nevojë për mbështetje psikologjike. Te stadiumi po bëhet gati infrastruktura për të qenë pika e parë pritëse për ata që duan të qëndrojnë jashtë shtëpisë”, tha Rama.

Në stadiumin “Niko Dovana” janë ngritur çadra, ku do të mund të qëndrojnë të gjithë qytetarët që janë të pasigurt për të qëndruar brenda banesës së tyre.