Nënkryetarja e LSI, Xhixho: Boll më me show dhe mbledhje

Nënkryetarja e Lëvisjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, akuzon qeverinë e Edi Ramës se po vijon propagandën duke bërë mbledhje për “show” dhe nuk angazohen për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, pas tërmetit që goditi vendin, kryesisht Durrësin dhe Tiranën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho shprehet “Boll më me show dhe mbledhje. Pse është kaq e vështirë të shpallet gjendja e emergjencës për zonat e prekura?”

Mesazhi i plotë i Xhixhos:

Termeti që shkundi Shqipërinë duhet të kishte shkundur qeverinë e cila gjendet në apati totale për të marrë përgjegjësitë që i takojnë me ligj.

Vazhdon modeli i propagandës dhe jo i përkushtimit që presin qytetarët, të cilët edhe kësaj here u gjendën vetëm në përballimin e situatës më të rëndë natyrore të këtyre 30-40 viteve.

Boll më me show dhe mbledhje, çdo qytetar shqiptar pret që qeveria të dali në terren për të evidentuar dëmet, për t’i ardhur në ndihmë familjeve që sot gjenden pa shtëpi në qiell të hapur të mbërthyer nga paniku e frika, presin marrjen e masave për të përballuar këtë situatë emergjence.

Pse është kaq e vështirë të shpallet gjendja e emergjencës për zonat e prekura?
Po normal kur taksat tona shpenzohen për PPP dhe vjedhje galopante si mund të ketë buxhet për të përballuar fatkeqësitë natyrore, për t’i shërbyer qytetarëve.