Ironia e Manjanit: Rama erdhi me parashutë. Hajde mbaje propagandën tani!

Ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar për propagandën e që po bën qeveria për situatën e krijuar në vend pas termetit të frikshëm të një dite më parë.

Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shprehet “Ndërkohë në lajme na u shit një nder i madh. Kryeministri u kthye nga rruga. Ishte nisur për New York. Se për çfarë nuk e dimë, por u kthye. Është ende e paqartë si u realizua kthimi. U kthye avioni në ajër apo u hodh me parashutë.”

Postimi i plotë i Manjanit

Hajde mbaje propagandën tani!
===========
“Dje kuptuam se kemi nevojë të rrimë me njëri-tjetrin”- propogandon Erion Veliaj.
Jo për besë, nuk kam nevojë hiç të rri me ty! Jam më i sigurtë, më i qetë e më i larë nëse nuk rri me ty!

Po dje, më saktë mbrëmë vonë selinë e qeverisë e vizitoi vetë Kryeministri. Kishte kohë pa hyrë brënda. Në mbledhjen e qeverisë jo e jo.

Po mbrëmë arriti të shohë në të njëtën kohë ministrat e kabinetit.

Ndërkohë në lajme na u shit një nder i madh. Kryeministri u kthye nga rruga. Ishte nisur për New York. Se për çfarë nuk e dimë, por u kthye.

Është ende e paqartë si u realizua kthimi. U kthye avioni në ajër apo u hodh me parashutë…

Pavarësisht, qeveria pati nderin të mblidhet nga vetë Kryeministri.
——————
Sizmologu i rilindur do deklarojë sot se do binte një tërmet më i madh, por u ndalua me vendim të orës së vonë të qeverisë…

Duket si gallatë, por jo më çudi.

Nuk mbahen jo! /Ylli Manjani/

Kryeministri mban fjalim “prekës” për shqiptarët

Show-in e njohin shkëlqyer si Rilindje, ndaj kanë mobilizuar të gjithë mediat që ti marketojnë, ndërkohë te qytetarët akoma nuk ka zgjidhje prej pasojave të djeshme.

Kryeministri Rama sot ka vazhduar takimet live dhe ka kërkuar tri gjëra të rëndësishme, që duhen realizuar brenda ditës së sotme, duke filluar nga komunikimi me qytetarët e prekur, te lirimi i Stadiumit për familjarët, e deri të harta me identifikimin e të gjitha pikave të prekura nga dëmet.

“Sot është një ditë e vështirë për ata që kanë ndjerë më shumë goditjen dhe që janë akoma nën efektin e atij stresi, që do të thotë se është një ditë për t’iu qëndruar afër, për t’iu shpjeguar me qetësi gjërat. Është me shumë rëndësi që çdo plasaritje të inspektohet në mënyrë profesionale dhe çdo cenim i dukshëm i çdo pallati të inspektohet në mënyrë profesionale, sepse mund të jetë reagimi i fugës sizmike, por mund të jetë dhe një cenim strukturor që e bën të rrezikshme godinën.

Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të konkatohet për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim.

E dyta, njerëzit kishin dalë te stadiumi mbrëmë dhe gjëja më e thjeshtë ishte t’iu hapej stadiumi që të mos rrinin në mes të rrugëve. Kështu që sot stadiumi do jetë i hapur dhe i pajisur me të gjithë strukturën akomoduese. Gjëja që duhet të shoh pasdite është harta se kush bën çfarë. Duhen kontrolle të unifikuara perfekt, bashkia, prefektura, policia. Tamam si në një hartë beteje, ju duhet të keni deri pasdite çdo pikë të identifikuar si pikë e dëmtuar, me emra.

E fundit që kam, ata që janë dëmtuar duhet të jenë të sigurt që nuk do të harrohen. Duhet të kemi një inventar të saktë, në mënyrë që nesër, kur të ketë rënë barra e rëndë, dhe kur ne të kemi kapërcyer momentin e parë të identifikimit të dëmeve strukturore, të kalojmë në fazën e hartës së dëmeve. Është shumë e nevojshme që ushtria të marrë informacion të saktë sa çadra duhen. Atje ku dje ka pas momente paqartësie, sot nuk duhet të ketë më paqartësi”, tha Rama.