Trump-Zelenskiy, do takohen të mërkurën, për të diskutuar rreth bisedës telefonike, që shkaktoi polemika

Presidenti Donald Trump do të takohet me presidentin e ri të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy të mërkurën gjatë një mbledhjeje të Kombeve të Bashkuara në New York. Këtë takim e ka bërë publik një zyrtar i lartë i administratës, ku deklaroi se përveçse takimit me presidentin e Ukrainës, presidenti Trump gjithashtu do të zhvillojë takime individuale me drejtuesit e Pakistanit, Polonisë, Zelanda e Re, Singapori, Egjipti, Koreja e Jugut, Britania, India, Iraku, Japonia dhe El Salvador gjatë kohës që ai do të qëndrojë në New York

Takimi mes dy drejtuesve të SHBA dhe Ukrainës, vjen ditë pasi një polemikë shpërtheu mbi marrëdhëniet mes dy shteteve. Kjo gjendje u shkaktua prej një ankese që lidhet me një bisedë që presidenti Trump zhvilloi me drejtues të huaj. Sipas një njoftimi të gazetës, Wall Street Journal, Presidenti Trump disa herë i ka kërkuar presidentit ukrainas të hetojë rreth djalit të ish-nënpresidentit Joe Biden, i cili kryeson garën mes kandidatëve demokratë për president.

Gazeta shkruan se Presidenti i kërkoi presidentit ukrainas të punojë me avokatin e tij personal, Rudolph Giuliani, për të hetuar rreth djalit të zotit Biden, për shkak se Giuliani ka thënë se, kur ishte nënpresident, zoti Biden është përpjekur për shkarkimin e një prokurori ukrainas që po hetonte rreth marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij Hunter Biden në Ukrainë. Zoti Biden dhe djali i tij e kanë mohuar akuzën.

Çështja u bë publike pas njoftimit të gazetës Washington Post, e cila tha se ankesa e ngritur nga një informator i fshehtë i shërbimeve të inteligjencës, përfshinte Presidentin Donald Trump dhe Ukrainën.

Të dy presidentët kanë patur një bisedë telefonike dy javë e gjysmë përpara se informatori të paraqiste ankesën. Për këtë shkak, Presidenti Trump do të takohet me zotin Zelenskiy gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.