Trump dërgon trupa në Arabinë Saudite -Misioni do të jetë vetëm në mbrojtje, qetësohen tregjet!

Presidenti amerikan, Donald Trump aprovoi të Premten dërgimin e trupave ushtarake në mbështetje të Arabisë Saudite, pas sulmit të paprecedentë që ju bë rafinerive të naftës në Mbretëri. Për këto sulme, Shba-të akuzojnë drejtpërdrejtë Iranin. Sipas Pentagonit, dislokimi i trupave amerikanë do të përfshijë një pjesë të vogël, jo mijëra, pa dhënë më shumë detaje për numrin e saktë të trupave.

Natyra e misionit të tyre do të jetë specifikisht në mbrojtje, pra për të parandaluar sulme të tjera të ngjashme. Pentagoni do të çojë edhe pajisje ushtarake në Arabinë Saudite si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetet e Bashkuara po vlerësojnë edhe idenë e vendosjes së një aeroplanmbajtësi në rajon për një kohë të pacaktuar. Lëvizja e Presidentit  Trump largon, të paktën për momentin, frikën e sulmeve të menjëhershme ndaj Iranit. Kjo frikë çoi tregjet në kaos gjatë javës.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përkeqësuar ndjeshëm që prej vitit të kaluar, kur Presidenti amerikan vendosi të tërheqë paktin bërthamor, që ishte arritur nga administrata Obama.  Irani ka mohuar çdo lloj përfshirje në sulmin ndaj Arabisë Saudite.