Tërmeti lë 105 persona të plagosur. Manastirliu: I gjithë shteti në terren

Tërmetet dhe lëkundjet që mbërthyer Shqipërinë, deri më tani ka lënë 105 persona të lënduar. Lajmin e bëri të ditur minstrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe në spitalin e Durrësit, janë paraqitur 105 persona të cilët kanë pësuar lëndime jo të rënda. Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se urgjencat janë në gatishmëri të qytetarëve që paraqiten për të marrë mjekimin e duhur.

“Në spitalin e Durrësit janë paraqitur rreth 21 qytetarë që kanë marrë shërbime të ndryshme, kryesisht problematika që lidhen me dëmtime të gjymtyrëve. Aktualisht janë 5 qytetarë. Në total janë paraqitur 105 qytetarë që kanë marrë shërbime. Shumica janë trajtuar kanë marrë shërbimet e nevojshme dhe janë larguar. Tek Trauma, janë 74 qytetarë që kanë marrë shërbime dhe aktualisht janë 10 pacientë që po marrin ndihmën e nevojshme dhe po kryejnë ekzaminime”.

Nga ana tjetër, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri me dije bilancin paraprak, ku tha se janë 130 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara. Kurse Ministria e Arsimit bëri të ditur se dëmet në shkolla janë të vogla dhe se mësimi i së hënës do të vijojë rregullisht.