Të gjitha organizatat e PS do drejtohen nga një burrë dhe një grua

Gratë e Partisë Socialiste kërkojnë më shumë pushtet në qeverisje dhe në strukturat politike partiake. Anëtaret e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PS kërkojnë mbledhjen e strukturave për të përcaktuar rregullat e reja të përfaqësimit gjinor.

Në letrën e grave të PS për Kryesinë kërkohet që në gati 5 mijë organizta të PS në bazë, drejtimi t’i besohet një burri dhe një gruaje.

“Të bindura se gratë në organizatën socialiste nuk mund të vazhdojnë të mbeten si një shtojcë, por duhet të kthehen në një shtyllë e rëndësishme, njësoj si në qeveri e në grupin parlamentar, propozojmë që secila prej 5000 organizatave socialiste në territor të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua. Pa pretenduar se kemi zbuluar ndonjë formulë të re apo gjetur zgjidhjen automatike për ekuilibrin e një dizekuilibri historik gjinor në organizatën bazë të familjes sonë politike, ne besojmë se duke iu referuar këtij modeli të adoptuar nga disa parti progresiste nëpër botë, do të promovojmë një ndryshim thelbësor me avantazhe të mëdha për të ardhmen e PS e të vetë vendit tonë”,- thuhet në letrën e grave të PS për Kryesinë e Partisë Socialiste.