Strategjia për krimin e korrupsionin- SPAK e Prokuroria, në 2020 rritet 30% verifikimi i pasurive të dyshimta

Brenda vitit të ardhshëm do të rritet me 30% volumi i pasurive të dyshimta të krijuara përmes krimit e korrupsionit, ndërkohë që së paku me 2.5% do të shtohen hetimet në këtë drejtim nga organet ligjzbatuese, veçanërisht Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion e njohur si SPAK.

Ndërkohë që prioritetet do të kenë edhe rritja e hetimeve për sendet me vlerë e parave fizike, veçanërisht ato që kalojnë në pikat kufitare.

Parashikimet vijnë përmes planit të veprimit për vitet 2019–2020, për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit, i zbardhur nga SCAN TV.

Në strategji përcaktohet se SPAK, Prokuroria e Përgjithshme apo Polica do të zhvillojnë të paktën 3 trajnime në vit me qëllim arritjen e këtij objektivi.

Ndërkohë që do të jetë regjistri i ri digjital i kadastrës ai që pritet t’i japë një hov të fortë hetimeve lidhur me pasuritë e paluajtshme të krimit e korrupsionit.

Në strategji përcatohet se ky regjistër, kosto e të cilit do te jetë afërsisht 4 milionë dollarë, do të përfundojë në fund të vitit 2020, dhe do të jetë një prej burimeve kryesore të informacionit lidhur me pasuritë e paligjshme.

Agjencitë ligjzbatuese do të kenë gjithashtu brenda kësaj periudhe akses të plotë të të dhënat e tatimeve e doganave.

Strategjia parashikon edhe krijimin e një sistemi të konsoliduar të dhënash lidhur me hetimet e krimit të organizuar, krimit financiar dhe korrupsionit,  sekuestrimit, konfiskimit, dhe rikuperimit të parave të krimit.