Skënderbeu mund Teutën, Bylis shtang në fund Partizanin

Pas dy humbjeve radhazi, Skënderbeu u rikthye te suksesi, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Teutën në Korçë, falë një goli të shënuar nga sulmuesi Krasniqi në pjesën e parë të takimit. Në stadiumin “Skënderbeu” u zhvillua një ndeshje interesante, ku durrsakët e Shkëmbit ishin favoritë për të marrë tre pikët, por në fund festuan djemtë e Ilir Dajës, që shkuan në kuotën e 9 pikëve, pas 5 javëve të para dhe parakaluan Teutën në renditje.

 

Zhgënjen sërish ndërkohë Partizani, që nuk arriti të rikthehet te fitorja në sfidën që luajti në stadiumin “Selman Stërmasi” përballë të rikthyerve rishtazi në Superiore, Bylisit. Sfida në kryeqytet nisi me dridhjen e frikshme të shkaktuar nga tërmeti i frikshëm që goditi sot vendin, ndërsa pak minuta më vonë të kuqtë u detyruan të bëjnë edhe një ndërrim te detyruar, me Telushin që i la vendin brazilianit Willian Cordeiro. Megjithatë kampionët në fuqi nuk arritën të bëjnë diferencën, pasi sfida ishte e balancuar, me ballshiotët që ishin rreshtuar mirë mbrapa he kundërsulmonin vazhdimisht rrezikshëm.

Në minutën e 73-të Partizani kaloi në avantazh pas një aksioni me Lorenc Trashin protagonist, që hodhi topin në zonë, aty ku Peposhi devijoi në mënyrë të pafat në portën e mbrojtur nga Hidi. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë dhe se “të kuqtë” do të merrnin 3 pikët, ishte futbollisti Ntephe i Bylisit, që u harrua nga mbrojtja e Partizanit dhe befasoi duke gjetur golin e barazimit në minutat shtesë, duke u dhuruar një pikë me mjaft vlerë ballshiotëve.