Sizmiologu Ormeni: Tërmeti më i fortë në 40 vite, 60 lëkundje të lehta pas të parës

Sizmiologu Rrapo Ormeni është pyetur përmes linjës telefonike në studiot e A2 për tërmetin e sotëm që goditi Durrësin dhe u ndje në pjesën më të madhe të Shqipërisë.

Ormeni tha se tërmeti i parë ishte 5.8 Rihter dhe u pasua nga një tjetër në orën 16:16 minuta 5.2 Rihter.

Që nga ai moment janë regjistruar dhe rreth 60 lëkundje të tjera të cilat kanë qenë më të lehta. Sizmiologu sqaron se pasgoditjet mund të zgjasin me ditë ose edhe me javë të tëra.

Ormeni e konsideroi tërmetin e pasdites së të shtunës si një ndër më të fortët të 40 viteve të fundit. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që në situata të tilla të ruajnë qetësinë dhe nëse ndodhen brenda në banesë të fshihen poshtë ndonjë objekti të fortë.

Ne gjykojmë që goditjet kryesore kanë kaluar, por në vazhdim mund të ketë pasgoditje.

Tërmeti në Durrës është ndjer deri në 8 ballë, çka ka shkaktuar dëme në ketë zonë, ndërkohë që në Tiranë është ndjerë deri në 7 ballë.

Ky termet do të shoqërohet me pasgoditje që të vazhdojnë me ditë, javë apo edhe deri në muaj mund të vazhdojnë sepse është një termet i konsiderueshëm. Por jemi të mendimit që pasgoditjet me kalimin e kohës do të vijnë duke u shuar. Do jenë gjithmonë e më të vogla deri sa të shuhen dhe deri sa të vendoset gjendja e ekuilibrit.

Tërmetet nuk parashikohen, por goditja kryesore shoqërohet me një pasgoditje dhe sipas ligjeve të termeteve. Por ndonjëhërë pasgoditja që është me e vogël se goditja kryesore, ndonjëherë në zonën e hidrocentraleve mund të jetë e rrezikshme, pasi goditja ka shkaktuar dëme në godina edhe ndërtesa dhe pasgoditja e gjën të gatshme dhe pasgoditjet mund të sjellin dëme”, tha për profesor Rrapo Ormeni.