Raporti alarmant për Gjykatën e Lartë: Duhen 20 vite për të shqyrtuar dosjet e mbartura

Një raport për funksionimin e Gjykatës së Lartë në Shqipëri ngre alarmin për bllokimin e kësaj gjykate dhe kostot e pallogaritshme financiare që u shkakton qytetarëve shqiptarë. Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, një organizatë që monitoron çështjet transparencës së institucioneve, pas një verifikimi të detajuar të situatës në Gjykatën e Lartë ka arritur në përfundime shokuese. Gjykata e Lartë ka ndërprerë dhënien e vendimeve që nga 30 prilli i vitit 2019, për shkak se një pjesë e anëtarëve të saj u larguan nga Vettingu. Problemi kryesor që u diskutua gjatë reformës në drejtësi për këtë gjykatë ishte vonesa në dhënien e vendimeve. Mesatarisht dhënia e një vendimi në këtë gjykatë zgjaste mesarisht 867 ditë në Kolegjin Administrativ dhe 459 ditë në kolegjin penal. Pra 1 deri në 2.5 vite për çdo vendim. Por sot pas reformës në drejtësi situata është dhe më skandaloze.

Për shkak të bllokimit të punës dhe dosjeve të mbartura, në Gjykatën e Lartë presin gjykim rreth 30 mijë dosje. Shifra e madhe e dosjeve të mbartura pritet të bllokojë këtë gjykatë edhe për shumë vite të tjera, pa llogaritur dosjet e reja që mund të shkojnë në këtë institucion.

Sipas raporti të organizatave të pavarura, me 19 gjyqtarë, aq sa ka pasur në kohën më të mirë kjo gjykatë, për gjykimin e 30 mije dosjeve do të duhen të paktën 20 vite! “Aktualisht, në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28863 deri në fund të vitit 2018).  INFOÇIP vlerëson se nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht,  për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015 (më e mira e 5 viteve të fundit)”, – thuhet në studimin e organizatave të pavaura.

Sot Gjykata e Lartë ka vetëm një anëtarë dhe nuk dihet se kur dhe me sa anëtarë do të jetë përfundimisht. Gjasat janë që procedura të zgjasë edhe disa muaj dhe 30 mijë dosjet mund shtohen pa fund.  Ndërkohë Parlamenti dhe institucionet e reja të drejtësisë kanë dështuar të emërojnë gjyqtarët e rinj. Studimi i ekspertëve të pavarur thotë se ligjet e reja të drejtësisë për Gjykatën e Lartë nuk parashikojnë as sa duhet të jetë numri i anëtarëve të kësaj gjykatë.

Raporti për gjykatën e lartë bënë dhe një vlerësim objektiv për produktin që ka dhënë deri më sot reforma në drejtësi. Pavarësisht vendimeve të duhura për largimin e disa anëtarëve me probleme serioze ligjore në këtë gjykatë, fakt është se reforma ka bllokuar dhënien e drejtësisë për të paktën 30 mijë dosje. Këto dosje përkthehen edhe në humbje financiare të pallogaritshme për qytetarët dhe vet shtetin.

Raporti shprehet se “mos-plotësimi i vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, është një e metë e Reformës në Drejtësi. Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm. Ligjvënësit shqiptarë  duhet të kishin parashikuar “planin e kontigjencës” për një situatë të tillë të paprecedentë. Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën”.

Ndërkohë zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore jo vetëm shton stokun e dosjeve dhe pengon drejtësinë, por bllokon gjithë sistemin gjyqësor në tërësi. Vendimet e Gjykatës së Lartë shërbejnë dhe si orientim (unifikim) për gjykatat më ulëta.

Pavarësisht se vettingu i një pjese të gjyqtarëve vlerësohet si i drejtë, ligjet e reformës nuk kanë parashikuar plane emergjence dhe sot vendi ndodhet pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese. Dështimi në ngritjen e këtyre institucioneve ka thelluar krizën politike në vend, por po kthehet dhe në kosto të pallogaritshme për gjithë shqiptarët.

Drejtuesit e Qendrë për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, gjatë prezantimit të Raporiti

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: Afatet e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë