Prefektja e Tiranës: Patrullat në çdo njësi administrative

Lidhur me tërmetet që kanë tronditur vendin, prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari thotë se ekipet e emergjencës janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë banorëve që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Nga ana tjetër, ajo bën me dije se deri tani janë 224 objekte të dëmtuara dhe 20 banesa.

“Janë hapur 6 pika emergjence . Duhet të ngrenë çadrat fushore që të vendosen 6 pikat më problematike. Kjo do jetë detyra më parësore. Patrullat janë në çdo njësi administrative. Ka pasur problematika në të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës. Situata është nën kontroll, ne jemi të gjithë në gatishmëri. Me informacionet që kemi marrë janë të evidentuara 224 objekte dhe 20 banesa më plasaritje dhe rënie suvaje. Nuk janë të një shkalle shumë të lartë. Në Farkë janë vetëm 3 banesa të para viteve 90. U morën masa që banorët e tyre të dërgoheshin tek të afërmit e tyre. Ne do jemi në vijimësi për të parë situatën. Nuk kemi informacione nëse institucionet e dëmtuara janë banesa rezidenciale, janë kryesisht banesa të vjetra”, u shpreh Jahollari.