Nën çadër, familja në Qafëzezë apelon për ndihmë

Familja Çaushi në fshatin Qafëzezë është një nga dhjetëra familjet të cilave iu dëmtuan banesat nga tërmeti i rënë 1 qershorin e këtij viti. Prej katër muajsh, pesë anëtarët e kësaj familjeje i kalojnë netët në çadrën që e kanë montuar në oborrin e banesës së dëmtuar, ndërsa ende nuk ka asnjë veprim konkret për riparimin e banesës. “Ne për momentin banojmë pesë vetë dhe gjatë gjithë ditës këtu rrimë. Për të fjetur, të gjitha vajzat dhe gruaja flenë në çadër”, thotë kryefamiljari Festim Çaushi.

Jetesa nën çadër, përveç të tjerave, ka një tjetër rrezik, pasi ajo është montuar buzë një përroi i cili në kohë reshjesh sjell prurje të mëdha, duke rrezikuar përmbytjen e çadrës. “Jemi shumë të rrezikuar sepse po të vijë përroi, bëhet hataja. Nuk jetohet. Por nuk kisha mundësi tjetër kur ta vendosja”, thotë Festimi.

Edhe pse kryefamiljari tregon vështirësitë dhe shpreson në një të ardhme më të mirë, bashkëshortja i kërkon ndihmë shtetit të paktën për vajzën e sëmurë. E ndërsa kjo familje apelon për ndihmë, dimri po afrohet dhe në këto anë jetesa nën çadër në dimër është e papërballueshme.